Qindra protestues janë mbledhur të dielën afër Ambasadës së Rusisë në kryeqytetin Kiev, për të kërkuar lirimin e pilotes urkainase, Nadia Savchenko.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe gurë ndaj ndërtesës, duke i thyer disa dritare, shkatërruar disa makina dhe e kanë djegur flamurin rus.
Oficerët policorë në vendin e ngjarjes nuk kanë intervenuar.
Një zëdhënës i ambasadës tha se ndërtesa ishte “sulmuar” gjatë natës dhe se njerëz me shkopinj të bejzbollit i kanë dëmtuar veturat e ambasadës dhe kanë hedhur bomba tymi në territorin e ambasadës.
Pitotja ukrainase, Nadia Savchenko, ishte arrestuar në Ukrainë në korrik të vitit 2014, dhe ishte dërguar në Rusi kundër vullnetit të saj për proces gjyqësor lidhur me vrasjen e dy gazetarëve rusë që raportonin për luftimet në pjesën lindore të Ukrainës.
Procesi i saj është shtyrë deri më 9 mars, ndërsa Savchenko ka shpallur grevë urie dhe të pijes, pasi nuk është lejuar që në gjykatë ta thotë fjalën e saj përfundimtare.
Prokurorët kanë kërkuar që ajo të dënohet me 23 vjet burg.
Savchenko i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër saj.
E dërguara për të drejtat e njeriut e presidencës së Rusisë, Ella Pamfilova, është takuar me Nadia Savchenkon, në burgun në Rostov në Don.
Nikolai Polozov, avokat i së akuzuarës Savchenko ka shkruar në rrjetin Facebook, se Ella Pamfilova kishte biseduar me telefon me familjen e Savchenkos dhe e kishte siguruar se ajo është në gjendje të kënaqshme shëndetësore dhe po monitorohet për së afërti.
Avokati Polozov, po ashtu, tha se klientja e saj është “në gjendje të kënaqshme” dhe se nuk është detyruar të ushqehet dhe se një grup i mjekëve ukrainas ka kërkuar leje që ta vizitoj Savchenkon në burg në Rusi.
Gazetarja ruse, Irina Lesnevskaya, themeluese e rrjetit REN-TV, në Facebook e ka paraqitur një thirrje për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që ta lirojë Savchenkon për nder të Ditës Ndërkombëtare të Grave më 8 mars.
“Mos e turpëroni Rusinë, njerëzit dhe oficerët e saj, të cilët ende e dinë se çka do të thotë nderi”, ka shkruar ajo dhe ka shtuar se “edhe nëse ju konsideroni se oficerja ukrainase, që e ka mbrojtur sovranitetin e vendit të vet, është armike, respektojeni atë”.
Ajo për zotin Putin ka shkruar se “ju konsideroj armik ideologjik, por si njeri, më lejoni së paku ta respektoj presidentin e vendit tim”.