Pakistan: Vritet prokurori i rastit Musharraf-Bhutto

Vetura e Chaudhry Zulfikar

Policia pakistaneze thotë se prokurori udhëheqës në rastet e hetimit të vrasjes së ish kryeministres, Benazir Bhutto, dhe sulmit terrorist në Mumbai në vitin 2008, është qëlluar për vdekje.

Sipas policisë, persona të armatosur e kanë sulmuar automobilin e prokurorit shtetëror të Agjencisë Federale Hetuese të Pakistanit, Chaudhry Zulfikar, të premten në mëngjes, derisa ai udhëtonte për në gjykatë.

Irshaad Abro, shef i stacionit të policisë në Islamabad, i ka treguar Radios Evropa e Lirë, programi për Pakistanin, se çka ka ndodhur.

“Chaudhry Zulfikar ishte prokuror i disa rasteve të rëndësishme. Ai po shkonte në gjykatën e Ravalpindit, si pjesë e rutinës së tij punuese. Persona të panjohur kanë hapur zjarr kundër tij, derisa ai ishte në rrugën e vet. Aty ishin dy ose tre persona të armatosur, që kanë shtënë në të, derisa ai ishte i ulur prapa në makinë. Si pasojë, ai vdiq, ndërsa truproja e tij u plagos. Po ashtu, automobili e qëlloi një kalimtare të rastit, e cila po ashtu vdiq”, tha Abro.

Raportohet se Chaudhry Zulfikar ishte qëlluar në kokë, supe dhe qafë.

Policia thotë se po zhvillohet një operacion masiv për zënien e sulmuesve. Asnjë grup deri tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulm.

Oficeri i lartë i policisë, Jameel Hashmi, thotë se ekzistojnë disa dëshmi, por nuk mund të zbulohen detaje.

Ne kemi dëshmi nga disa dëshmitarë, por ne nuk mund të zbulojmë asgjë në këtë moment”, tha Hashmi.

Prokurori Chaudhry Zulfikar ishte ndër juristët më të lartë kundër krimit dhe ishte i përfshirë në disa raste të profilit të lartë penal.

Ai i kishte zhvilluar hetimet për vrasjen e ish kryeministres Benazir Bhutto, me armë dhe sulm vetëvrasës, derisa po zhvillonte fushatë politike në vitin 2007.

Prokurorët e kishin akuzuar ish presidentin dhe liderin ushtarak të Pakistanit, Pervez Musharraf, për neglizhencë dhe për mos dhënien e masave të duhura të sigurisë për ish kryeministren Bhutto.

Një raport i Kombeve të Bashkuara në vitin 2010, thoshte se vrasja e zonjës Bhutto ka mundur të parandalohet. Në këtë raport thuhej se nuk mund të përjashtohet involvimi i pjesëtarëve të ushtrisë pakistaneze ose të shërbimeve të sigurimit.

Askush kurrë nuk është dënuar për vrasjen e Benazir Bhuttos.

Prokurori i vrarë, Zulfikar, poashtu, i udhëhiqte disa raste kundër grupit militant, Lashkar-e-Taiba, që është i akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist në Mumbari, në vitin 2008, me ç’rast nga të shtënat treditëshe dhe sulmet me bomba u vranë 166 vetë.

Vitin e kaluar, siguria e prokurorit Zulfikar ishte shtuar, pas kërcënimeve të shumta me vrasje.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, fuqishëm e ka dënuar këtë vrasje dhe ka kërkuar hetime të gjëra. (f. bujupi)