Sulm ndaj kryeredaktorit të RTK-së

Shtëpia e Mufail Limanit

Policia e Kosovës njoftoi se në orët e para të mëngjesit, (3:30) ka ndodhur një shpërthim i një bombole gazi në hyrje të një shtëpie në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë.

Ndonëse policia nuk ka bërë me dije, mësohet se pronar i shtëpisë është kryeredaktori i Radio Televizionit të Kosovës, Mufail Limani.

Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Televizioni i Kosovës.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë, se si pasojë e shpërthimit shtëpia është kapluar nga zjarri, dhe janë shkaktuar dëme materiale.

Ai tha se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur persona të lënduar.

“Njësitë relevante të policisë duke përfshirë njësitë patrulluese, njësitë për mjete shpërthyese dhe ato për krime teknike i janë përgjigjur menjëherë thirrjeve dhe janë në vendin e ngjarjes për hetime”, tha zëdhënësi Kelani.

Menaxhmenti i RTK-së ka dënuar ashpër sulmin në shtëpinë e kryeredaktorit të Televizionit, Mufail Limani dhe ka kërkuar "me ngulm nga organet kompetente ndriçimin sa më të shpejtë të rastit dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë".

Menaxhmenti i RTK-së, përmes një deklarate për media tha se "sulmi ndaj kryeredaktorit të Televizionit publik të Kosovës dhe familjes së tij është përpjekje për ngulfatjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave dhe rrezik për lirinë e përgjithshme".

Ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve e RTK-së.

"SPERTK reagon ashpër kundër sulmit kriminal ndaj shtëpisë së punëtorit të RTK-së, Mufail Limanit, sulm ky i cili ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, e që fatmirësisht familja Limani ka shpëtuar pa asnjë lëndim. Me këtë rast u bëjmë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që sa më parë ta zbardhin këtë akt të dhunshëm dhe kriminal!", thuhet ne njoftim.

Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka reaguar ndaj shpërthimit të mbrëmshëm në hyrje të shtëpisë së kryeredaktorit te RTK-së, Mufail Limani dhe familjes se tij.

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës i bën thirrje Policisë së Kosovës që të vazhdojë me hetime intensive rreth rastit dhe kryerësit të nxirren para drejtësisë. Ndërsa, kryeredaktorit Limani i bëjmë thirrje që veprimet e tilla të ulëta mos ta dekurajojnë për ta vazhduar punën e tij në RTK”, thuhet në reagimin e AGPK-së.

Sulmin në shtëpinë e kryeredaktorit të RTK-së e ka dënuar edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës.

Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), dënon ashpër sulmin në shtëpinë e kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mufail Limani".

"Sulmi ndaj Limanit dhe familjes së tij me bombolë gazi është një akt qyqar e barbar dhe si i tillë dëmton rëndë lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të gazetarëve”, thuhet në reagim.

Në njoftimin thuhet se UGK është e shqetësuar me pengesat në punë dhe me sulmet që vazhdimisht po rriten ndaj punonjësve të medieve, dhe nuk po bëhet shumë për ndëshkimin e tyre.(a.k. & a.i.)