Shpërthim në Pragë

Shpërthim në Pragë

Ka shkuar në rreth 40 numri i të lënduarve nga shpërthimi i fuqishëm, që goditi mëngjesin e së hënës qendrën e Pragës.

Raportet e para citojnë policinë të ketë thënë se shpërthimi mbase është shkaktuar nga gazi. Policia tha se shpërthimi ka ndodhur në një ndërtesë në afërsi të Teatrit Kombëtar në Pragë, jo larg nga lumi Vltava.

Shpërthimi ka thyer dritaret e ndërtesave në afërsi dhe thuhet është dëgjuar një kilometër larg.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë për njerëz që mund të jenë ende nën ndërtesat e dëmtuara.

Zdenek Schwarz, drejtor i shërbimeve ambulatore në Pragë thotë se lëndimet janë kryesisht të lehta.

Lëndimet që po o trajtojmë janë të lehta dhe kryesisht janë prerje të shkaktuara nga copat e xhamave të thyer, por gjithashtu ka dëmtime të të dëgjuarit për shkak të fuqisë së shpërthimit. Të gjitha këto janë lëndime të lehta, megjithatë gjatë ekzaminimit në spital mund të dalin trauma të rënda. Sic kam thënë, nga informacionet preliminare, shumica janë lëndime të lehta ndërsa një person është lënduar më rëndë”, është shprehur për televizionin publik çek, Schwarz.

Ndërkaq, zëdhënësi i policisë së Pragës, Tomas Hulan, tha se shpërthimi ka gjasa të jetë shkaktuar nga rrjedhja e gazit.

Sipas të gjitha gjasave, ka qenë ky një shpërthim i shkaktuar nga rrjedhja e gazit në një nga ndërtesat në rrugën Divadelni, afër kryqëzimit me rrugën Krocinova. Policia ka bërë evakuimin e popullsisë nga ndërtesat fqinje dhe natyrisht ka ndërruar drejtimin e trafikut. Duke marrë parasysh fuqinë e shpërthimit dhe dëmet e shkaktuara, supozojmë se do të ketë kufizime në lagje për disa orë”, u shpreh Hulan.

Në mesin e të lënduarve thuhet se janë 16 të huaj, kryesisht turistë.

Zorica Radmiloviw, një sarajevase që jeton në Pragë, e ka dyqanin në afërsi të vendit ku ndodhi shëprthimi.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirës se shpërthimi ishte i frikshëm.

“Ka qenë i tmerrshëm. Janë dridhur xhamat. Ka qenë tmerrshëm. Kam menduar se isha në Sarajevë, kur binin bombat”, rrëfen Radmiloviq.

Rruga është mbushur me rrënoja dhe është bllokuar. Ambulancat dhe zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa policia e ka evakuuar një shkollë lokale.(a.isufi)