Maqedoni: Heshtje institucionale

Maqedoni

Raporti i Departamentit Amerikan i Shtetit mbi të drejtat dhe liritë e njeriut për vitin 2012 nuk është komentuar nga drejtuesit e institucioneve në Maqedoni, e cila, kritikohet në shumë sfera për ngecje apo mosrespektimi të të drejtave të njeriut.

Raporti veç tjerash kritikon institucionet për incidentin e 24 dhjetorit në Kuvend, largimin me dhunë të gazetarëve nga salla e Kuvendit, presionet mbi mediat si dhe për çështje tjera që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike, praninë e korrupsionit, krimin e organizuar, gjyqësinë e të tjera.

Njohësit e çështjeve juridike thotë se raporti ka pasqyruar në mënyrë reale gjendjen në Maqedoni ku sipas Osman Kadriut, vazhdojnë të shkelen të drejtat më elementare të njeriut.

“Kemi një diskriminim të paparë kur bëhet fjalë për të drejtat e qytetarëve, në sferën e punësimit, në sferën ekonomike, në atë sociale, në realizimin e të drejtave kur ara paraqiten si palë para gjyqësorit".

"Të gjitha këto flasin se ne gjendemi para një situate vërtetë të ndërlikuar ndërsa në veçanti theksohet dhe duhet të ndërmerren hapa të mëtejmë sa i përket marrëdhënieve ndëretnike, pasi përkeqësimi i tyre është evident dhe pritet që në të ardhmen të merr një përpjesëtim edhe më brengosës”, thotë Osman Kadriu.

Edhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se raporti në mënyrë precize ka detektuar të gjitha mangësitë e sistemit në Maqedoni.

Uranija Pirovska, nga Komiteti i Helsinkit thotë se vërejtjet janë thuajse ato që ka denoncuar në vazhdimësi edhe organizata që ajo drejton.

“Vlerësoj se raporti i fundit i Departamentit të shtetit amerikan në mënyrë reale pasqyron gjendjen në Republikën e Maqedonisë dhe përmban thuajse të gjitha vërejtjet që paraqet në vazhdimësi edhe Komiteti të Helsinkit në Maqedoni. Me rëndësi është të theksohet se raporti përmban edhe vërejtjet lidhur me hapësirën mediatike në vend apo unë do të thosha përmban pjesën që ka të bëjë me okupimin e mediumeve nga qendrat që kanë fuqinë të rrezikojnë lirinë e shprehjes".

"Komiteti i Helsinkit vlerëson se ky pushtet po e shfrytëzojnë fuqinë për ballafaqim me të gjithë ata që nuk mendojë njejtë si ai dhe kjo qëndron edhe raportin e DASH-it. Pra është raporti shumë real”, thotë Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.

Drejtuesit e institucioneve më parë duke komentuar raportet e organizatave tjera që po ashtu ishin kritik ndaj proceseve në vend e në veçanti ndaj reformave kishin deklaruar se janë të përkushtuar të përmbushin të gjitha kriteret dhe madje në disa raste ato sipas tyre edhe janë realizuar.

Por, ekspertët thonë se vërejtjet më të fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit janë edhe një dëshmi se megjithatë kemi ngecje.

“Ata ndoshta mund të vlerësojnë dhe të mendojnë se ja ndoshta raporti nuk është shumë brengosës se ka përparime dhe reforma, por, jam i mendimit se pushteti edhe nga ky raport i tanishëm duhet të nxjerr konkluzione politike, faktike, ekonomike se ka më tutje, pasi ne thirremi se kemi reforma, por sa është kjo evidente apo reale, për këtë flasin raportet e jashtme”, thotë Osman Kadriu.