Venezuelë: Maduro shpallet fitues, Capriles kërkon rinumërim

Në zgjedhjet e djeshme presidenciale në Venezuelë, ka fituar, Nicolas Maduro, i zgjedhuri i liderit të ndjerë Hugo Chavez.

Por, rivali i tij Henrique Capriles, ka refuzuar që t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve, duke thënë se ka pasur mijëra parregullsi.

Nicolas Maduro, 50 vjeçar, që dikur ishte shofer autobusi, e të cilin Hugo Chavez e kishte emëruar si të preferuarin e tij, para se të vdiste nga sëmundja e kancerit, ka fituar 50.7% , ndërsa Capriles 49.1% të votave. Dallimi është vetëm 235 mijë fletëvotime.

Megjithatë, Nicolas Maduro tha se e pranon rinumërimin e plotë, por ka këmbëngul se fitorja e tij ishte e pastër dhe i ishte kushtuar Chavezit të ndjerë.

“Formalisht kam kërkuar nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor një audit të rezultateve të zgjedhjeve për të mos lënë asnjë dyshim. Por, tash institucionet duhet të funksionojnë. 7,5 milionë shtetas të Venezuelës thonë se Nicolas Maduro do të jetë president deri në vitin 2019 dhe kjo duhet të respektohet”, u tha Nicolas Maduro mbështetësve të tij në kryeqytetin Karakas.

Sipas tij, ai “ka pasur triumf korrekt, legal dhe kushtetues” dhe atyre që nuk kanë votuar për të, u ka bërë “ftesë për unitet”.

“I kam parasysh votuesit opozitarë, i pranoj dhe i respektoj ata dhe u bëjë thirrje të gjithë juve që ta respektoni shumicën e popullit”, tha Maduro.

Fushata e tij zgjedhore pothuajse në tërësi ishte e mbështetur në lidhjet e tij të afërta me liderin e ndjerë Hugo Chavez dhe në tregimet emocionale të ditëve të fundit të jetës së tij, para se të vdiste nga kanceri.

Kandidati opozitar, Henrique Capriles, paraqitja e fuqishme e të cilit e ka tejkaluar pjesën më të madhe të parashikimeve, tha se ekipi i tij e ka listën prej 3 mijë parregullsive, që fillojnë prej të shtënave me armë e deri te rihapja ilegale e vendvotimeve.

“Unë nuk luftoj kundër një kandidati. Ne luftojmë kundër përdorimit të secilit burim publik, kundër abuzimit të institucioneve tona publike”, tha 40 vjeçari Henrique Capriles, guvernator i shtetit Miranda.

Më tutje, ai theksoi se humbës është rivali i tij Maduro.

“Dëshiroj t’i them kandidatit të qeverisë: humbës jeni ju dhe këtë e them me vendosmëri. Ju jeni humbës. Ju dhe qeveria juaj. E them këtë me vendosmëri, me kompromis dhe transparencë. Ne nuk do t’i njohim rezultatet derisa secila votë e shtetasve të Venezuelës, një nga një, të numërohet. Ne kërkojmë që Këshilli Kombëtar Zgjedhor t’i hapë të gjitha kutitë dhe të numërohet secila votë”, tha Capriles.

Raportohet se kriza e gjatë zgjedhore në Venezuelë, mund të shkaktoj jostabilitet në këtë vend thellësisht të ndarë.

Venezuela i ka rezervat më të mëdha të naftës në botë.(f.bujupi)