Opozita në Maqedoni dhe reformimi i saj

Shkupi

Pavarësisht disfatës në zgjedhje lokale, por edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare, asnjë nga kryetarët e partive politike opozitare deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë dhe të japë dorëheqje.

Si opozita maqedonase, ashtu edhe ajo shqiptare, fajin për humbjen e thellë në zgjedhjet e fundit lokale ua kanë hedhur partive në pushtet, për shkak të, siç thonë, manipulimeve të ndryshme, vjedhjes dhe blerjes së votave, kërcënimeve e presioneve të ndryshme ndaj elektoratit për të mos votuar partitë opozitare.

Vlerësime të tilla janë dhënë edhe të mërkurën në mbledhjen e Kryesisë qendrore të PDSH-së. Anëtarët e PDSH-së, jo që kanë refuzuar, por as që kanë pranuar të hapet debati për përgjegjësinë e liderit të tyre, Menduh Thaçi, i cili, në një prononcim për mediat, tha se kishte ofruar dorëheqjen me qëllim që të mbrojë partinë nga përçarja, dhe jo se atë e kishin kërkuar oponentët e tij, apo analistët ë caktuar që sipas tij janë vegël e pushtetit.

“Natyrisht, se unë desha t’i sqaroj partisë se oferta ime për dorëheqjen kishte të bënte me një kërkesë që përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë, si kryetar partie, dhe nuk lejoj që të hapet debat jokontstruktiv brenda strukturave të partisë dhe të vendosen në përgjegjësi njerëzit e partisë, kjo ishte kryesorja. Pra, dorëheqjen e kam ofruar që të mbroj partinë dhe brenda të mos shkaktohen përçarje dhe ndarje”, deklaroi Thaçi, duke theksuar edhe njëherë tha se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Sikur kreu i PDSH-së, edhe Rufi Osmani, kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare, tha se pavarësisht deklarimeve për dorëheqje në rast të disfatës, këtë nuk do ta bëjë, pasi, sipas tij, në Maqedoni nuk kishte proces normal zgjedhor.

Vlerësim të ngjashëm ditë më parë dha edhe lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvnkovski, i cili nuk foli për përgjegjësi, por për vazhdimin e betejës kundër pushtetit aktual.

Duke komentuar qëndrimet e këtilla dhe ikjen nga përgjegjësia për disfatën në zgjedhje, Mersel Bilalli, ish-politikan dhe profesor universitar, theksoi:

“Mendoj se këtu është fjala për erozion të vlerave elementare në raport me përgjegjësitë ndaj publikut, pasi struktura të ndryshme politike, të cilat publikisht premtojnë se pas disfatave do të tërhiqen, pastaj gjejnë një mijë arsye që këtë të mos e bëjnë. Unë mendoj se kjo është mungesë e karakterit me ideale elementare në strukturat politike edhe në opozitën maqedonase, edhe në opozitën shqiptare”.

Bilalli shton se partitë opozitare duhet të reformohen apo të paraqitet në skenë një opozitë serioze, pasi me liderët e tanishëm vështirë se opozita do të mund të marrë pushtetin në Maqedoni.

“Mendoj se ato dalëngadalë shndërrohen në kompani private të individëve dhe kjo shumë shpejt lexohet nga qytetarët dhe votuesit dhe nuk ka kurrfarë perspektive, pos ndonjë interesi shumë të vogël individual”.

“Realisht, unë mendoj se pas kësaj hapet një terren për një opozitë seriozisht të organizuar, e cila do të jetë pozitive edhe për vetë pushtetin, pasi kështu si janë ato drejtpërdrejt apo indirekt janë servis i partive në pushtet dhe këtë e tregon vetë rezultati i zgjedhjeve”,
u shpreh Bilalli.

Ndryshe, fituese absolute të zgjedhjeve lokale ishin partitë në pushtet. VMRO-DPMNE-ja fitoi 59 komuna, kurse BDI-ja 14. Prej partive opozitare, LSDM-ja ka fituar në 4 komuna, kurse PDSH-ja në 2.