Kerry në Turqi: Diskutime për Iranin, Sirinë, Izraelin…

John Kerry dhe Recep Tayyip Erdogan, Stamboll, 7 prill 2013.


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar Iranin se bisedimet për programin e tij bërthamor nuk mund të zgjasin përgjithmonë. Të shtunën, në Almati të Kazakistanit, kanë përfunduar pa marrëveshje negociatat ndërmjet fuqive botërore dhe Republikës Islamike, për këtë çështje.

“Do t’i ripërsërisim Iranit se është dëshira jonë që të kemi zgjidhje diplomatike, por kjo zgjidhje vërtet qëndron në duart e iranianëve. Nëse keni program paqësor për energjinë bërthamore, ashtu si një numër vendesh, atëherë nuk është e vështirë t’ia dëshmoni botës se është paqësor”, ka thënë Kerry.

Kryediplomati amerikan i ka bërë këto komente në Stamboll, ku ka takuar ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.

Dy zyrtarët kanë folur edhe për krizën në Siri. Konflikti civil në këtë vend ka nisur qysh në mars të vitit 2011. Forcat qeveritare kanë shtypur dhunshëm rebelët që kundërshtojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad. Kombet e Bashkuara llogarisin mbi 70,000 njerëz të vrarë në dy vjet trazira.

Turqia, dikur aleate e Sirisë, ka bërë vazhdimisht thirrje për largimin e Assadit nga pushteti. Ajo po ashtu strehon së paku 250,000 refugjatë sirianë.

“Unë e falënderoj ministrin e Jashtëm, Ahmet Davutoglu, për presionin e vazhdueshëm që Qeveria e Turqisë ka bërë mbi regjimin e Assadit. Ne të dy kemi thënë se ai duhet të largohet”, është shprehur Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë po ashtu se Turqia mund të luajë rol të madh në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Ai e ka përshkruar atë si vend energjik dhe ka thënë se mund të jetë faktor kyç në nxitjen e pajtimit midis fraksioneve rivale palestineze – Hamasit dhe Fatahut.

Kerry ka këmbëngulur që zyrtarët turq duhet të riparojnë lidhjet edhe me Izraelin. Marrdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar tre vjet më parë, pasi forcat izraelite kanë bastistur një anije turke me ndihma, duke vrarë 9 aktivistë turq.

Muajin e kaluar, me insistimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar falje kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Turqia dhe Izraeli janë aleatë jetikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne shpresojmë që marrëveshja e tyre për riparimin e marrëdhënieve do t’i hapë derën bashkëpunimit më të madh, në mënyrë që të gjithë ne të punojmë së bashku në nxitjen e paqes”, ka thënë Kerry.

Turqia është ndalesa e parë e tij në turneun 10-ditor diplomatik, që përfshin vende të Lindjes së Mesme, të Evropës dhe të Azisë.

Udhëtimi i Kerryt është zbehur nga vdekja e gjashtë amerikanëve, së bashku me një mjek afgan, në dy sulme të ndara që kanë ndodhur të shtunën në Afganistan.

Viktimat amerikane kanë përfshirë një zyrtare të shërbimit të jashtëm, e cila ka vepruar si udhëzuese e zotit Kerry gjatë vizitës së tij të fundit në Kabul.

Në momentin e sulmit, Anne Smedinghoff, 25 vjeçe, po dërgonte libra për studentët në provincën Zabul.

Ajo është diplomatja e parë amerikane që vritet në shërbim që nga viti i kaluar, kur nga sulmet në Bengazi, ka humbur jetën ambasadori i SHBA-së atje. (v.tela)