Beogradi konfirmon rinisjen e dialogut të martën

Borisllav Stefanoviq

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka konfirmuar se ekipi i Beogradit do të ndodhet më 21 shkurt në Bruksel, për vazhdimin e dialogut.

Ai ka thënë se është i gatshëm të punojë për gjetjen e zgjidhjes sa i përket përfaqësimit rajonal të Kosovës, duke pasur parasysh, siç është shprehur, “ekskluzivisht Rezolutën 1244, Kushtetutën e Serbisë dhe interesin kombëtar”.

“Mund të konfirmoj zyrtarisht se ekipi ynë negociues do të shkojë në Bruksel të martën, më 21 shkurt, për vazhdimin e dialogut me Prishtinën”, ka thënë Stefanoviq për mediat në Beograd.

Ai ka deklaruar se pason “një proces i trazuar negociator”, për të cilin ka shfaqur shpresën se do të rezultojë me zgjidhje pozitive, që do të çonte deri te “përfaqësimi adekuat” i Prishtinës në nismat rajonale, si dhe “do të mundësonte vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë”.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të dielën për Radion Evropa e Lirë se Kosova, në bashkëpunimin rajonal, do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe me Rezolutën 12 44 të Kombeve të Bashkuara.

Mosmarrëveshjet rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës, që buronin nga insistimi i Kosovës në shtetësi dhe i Serbisë në Rezolutën 1244, kanë shkaktuar ndërprerjen e dialogut teknik mes dy palëve.

Zgjidhja për këtë çështje mbetet kusht për Serbinë, për të fituar përgjigje pozitive rreth statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.(v.t.)