Në Shtetet e Bashkuara të martën në mbrëmje vonë, janë mbajtur votimet në tri shtete për nominim republikan për përcaktimin e kandidatit për zgjedhje presidenciale në muajin nëntor, kundër Barak Obamës.
Fitues i plotë në votime doli ish senatori nga Pensilvania, Rik Santorum, i cili në këtë mënyrë e ka ngadalësuar avancimin e deritashëm të kandidatit tjetër, Mit Romni, ish guvernator i Masaçusetsit.
Në garë janë edhe ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan, Njut Gingriç, dhe kongresmeni, Ron Pol.
Fitoret e konservatorit social, Santorum, e kanë ngadalësuar ritmin e favoritit të deritashëm, Mit Romni, i cili më herët ka fituar në Nevada, Florida dhe Nju Hempshir.
Duke folur para mbështetësve të tij në Sent Çarls të Minesotës, zoti Santorum e ka portretizuar vetveten si kandidati më i mirë republikan për ta kundërshtuar Obamën në zgjedhjet presidenciale.
“Shpresoj se ju e keni dëgjuar mesazhin tonë, pasi nëse ju e keni dëgjuar mesazhin, e keni parë se në disa çështje, kujdesi shëndetësor, ambienti, tregtia dhe pakot e Wall Street-it, Mit Romni i ka pozitat e njejta si Barak Obama, dhe në fakt, ai nuk do të jetë personi më i mirë për të fituar dhe për të luftuar për zërin tuaj për liri në Amerikë”, tha Rik Santorum.
Mit Romni, ish guvernator i Masaçusetsit, që gjatë përpjekjes së tij për nominim presidencial republikan në vitin 2008, kishte fituar në Kolorado dhe Minesota, i ka uruar fitoren zotit Santorum, dhe ka theksuar se gara nuk ka përfunduar.
Romni mbetet kandidati që mbështetet nga pjesa më e madhe e Partisë Republikane, ndërsa fushata e tij konsiderohet si e organizuar më së miri dhe e financuar po aq mirë.
Ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Njut Gingriç, i cili sikur edhe zoti Santorum, ka synuar ta pozicionoj vetveten si alternativë konservatore ndaj Obamës, u plasua i katërti në Minesota, i treti në Kolorado dhe nuk mori pjesë në votimet në Misuri.
Deri tash, Gingriç ka fituar vetëm në Karolinën Jugore.
Kandidati tjetër, kongresmeni nga Teksasi, Ron Pol, ishte i dyti në Minesota, i katërti në Kolorado, dhe i treti në Misuri.
Fitoret e zotit Santorum i sjellin atij 28 delegatë në Konventën Nominuese të Partisë Republikane, dhe aktualisht e klasifikojnë në vendin e dytë, pas Romnit, dhe para Gingriçit.
Votimet e ardhshme madhore mbahen në Arizona dhe Miçigen më 28 shkurt.
Më 6 mars, në të ashtuquajturën Super të Martë, votohet në 10 shtete dhe ndahen 416 delegatë. (f. b.)
Fjalimi i Santorumit pas fitores:
http://www.youtube.com/embed/9d_2roL8xQg