Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, po qëndron në Siri, në përpjekje për të ndërmjetësuar krizën atje. Ai ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me presidentin sirian, Bashar al-Asad, i cili, që 11 muaj, përballet me kryengritje kundër regjimit të tij.
Lavrov mësohet t’i ketë thënë Asadit se është në interesin e “vendeve arabe” që të “jetojnë në paqe dhe harmoni”, duke shtuar se secili lider duhet ta pranojë “pjesën e tij të përgjegjësisë”.
Sipas Lavrovit, kalimi i rezolutës do të mund të nënkuptonte se OKB-ja mban anë të caktuar në konflikt. Ai po ashtu tha se kritikat ndërkombëtare për veton ruse kanë kaluar në histeri.
“Ata po bëjnë përpjekje që, me ndihmën e deklaratave të tilla histerike, të fshehin të vërtetën e asaj që po ndodh. E vërteta është se në Siri ka më shumë se një burim të dhunës, janë disa”, tha Lavrov.
Ai i ka bërë këto komente në Bahrejn - në njërin nga shtetet arabe që kërkon qëndrim më të ashpër ndaj Asadit.
Lavrov tha se Rusia favorizon një dialog paqësor brenda Sirisë, pa ndërhyrje nga jashtë.
Diplomati i lartë rus i ka dhënë këtë mesazh edhe kreut të Ligës Arabe, Nabil Elarabi, përmes bisedës telefonike.
Në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se Perëndimi mbetet i angazhuar për fundin e krizës në Siri.
Vendet e Perëndimit po përpiqen të dalin me një strategji të re pas dështimit në OKB, duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të një grupi të kontaktit për Sirinë, ngjashëm siç ishte bërë në rastin e Libisë.
Në mesin e shqetësimeve në rritje për situatën e sigurisë, Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur ambasadën e tyre në Damask dhe kanë evakuuar gjithë stafin. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nullënd, shpjegoi:
“Shqetësimi ynë është se situata në dhe përreth Damaskut po bëhet gjithnjë e më e dhunshme, duke reflektuar faktin se regjimi po humb gjithnjë e më shumë kontrollin e situatës”.
Edhe Britania ka bërë të ditur se ka tërhequr ambasadorin e saj nga Siria.
Sidoqoftë, zëdhënësja e ambasadës siriane në Uashington, Roua Shurbaji, tha se Damasku po ruan situatën e sigurisë përreth ambasadave.
“Mund të them se nuk kemi kursyer asnjë përpjekje për të ofruar mbrojtjen dhe sigurinë për të gjitha mjediset diplomatike dhe personelin e tyre në Damask”, tha Shurbaji.
Luftimet në qytetet siriane kanë vazhduar edhe sot. Këshilli Kombëtar i Sirisë tha se vetoja ruse dhe kineze në Kombet e Bashkuara i ka dhënë Asadit “licencën për të vrarë”. (v.t.)