Gjyqësori, më i korruptuari

Fotografi ilustruese

Përfaqësues të Agjencisë Anti-Korrupsion dhe të organizatave vendore dhe ndërkombëtare thonë se niveli më i lartë i korrupsionit në Kosovë është në sistemin e drejtësisë. Por, zyrtarë nga Gjykata Supreme e Kosovës e mohojnë këtë.

Niveli më i lartë i korrupsionit në Kosovë është në sistemin e drejtësisë, deklarojnë përfaqësues nga Agjencia Kosovare Kundër-Korrupsionit dhe nga organizata të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Mirëpo, zyrtarë të lartë të Gjykatës Supreme të Kosovës, thonë se sistemi i drejtësisë nuk është aq i korruptuar siç thuhet në opinion dhe në raportet e ndryshme të organizatave.

Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme, nuk përjashton mundësinë se mund të ketë gjyqtar të korruptuar, por, sipas tij, rastet janë të pakta.

“Unë jam i bindur që çështja e korrupsionit është shumë më pak e shprehur sesa që flitet, ose që thuhet në opinion. Ne e dimë se sa gjyqtarë u janë nënshtruar procedurave të tilla dhe sa gjyqtarë janë gjykuar për raste abuzive, ose për raste që dyshohet se janë marrë me veprime të tilla kriminale, apo me veprime korruptive. Do të thotë se nuk është në top-listë Gjyqësori”
, thotë Hasani.

Raporti i fundit për të drejtat e njeriut i Departamentit Amerikan të Shtetit, ndër të tjera, pati përmendur se mungesa e një sistemi efikas juridik dhe dobësitë në shtetin ligjor, kanë kontribuar në rritjen e korrupsionit në Kosovë.

Ndërsa, Agjencia Anti-Korrupsion në raportin e saj për vitin 2009 ka treguar se krahasuar me vitin e kaluar, korrupsioni në gjyqësi ka shënuar rritje prej 63 për qind.

Një gjë të tillë e thonë edhe përfaqësuesit nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Merita Mustafa, menaxhere në programin “Transparenca dhe anti-korrupsioni”, thotë se të gjitha informatat, të cilat vijnë nga qytetarët, tregojnë se Gjyqësori është në nivelin më të lartë të korrupsionit.

“Në bazë të raportit tonë vjetor të vitit 2009, del që gjykatat prijnë për rastet e korrupsionit. Kjo vjen si rezultat i denoncimeve të qytetarëve që e kanë paraqitur korrupsionin. Edhe tek agjencia është e njëjta gjë, qytetarët po raportojnë për korrupsionin në gjyqësi”
, shprehet Mustafa.

Deklaratat e zyrtarëve të gjykatave se sistemi i drejtësisë nuk është i korruptuar, Mustafa i ka cilësuar si joreale.

“E dinë edhe ata që edhe sektori i prokurorimit publik është shumë më i infektuar me korrupsion. Situata reale është kështu siç është dhe ata, pak a shumë, duhet ta mbrojnë veten, se nuk është deri në atë gjendje”
, thekson Mustafa.

Nga Agjencia Anti-Korrupsion është thënë se për tre vjet, nga 168 lëndë të dërguara në prokurori, asnjë nga lëndët nuk është përfunduar, ndërsa janë ngritur vetëm pesë aktakuza.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, deklaron se mungesa e gjyqtarëve, bën që numri i lëndëve të mos shqyrtohet në kohën e paraparë.

“Ka një mungesë ekstreme të gjyqtarëve karshi lëndëve që vijnë në një gjykatë”.

“Këto janë krejt ato, të cilat kanë sjellë deri te zvarritja e lëndëve, grumbullimi i lëndëve, ngase një gjyqtar, na e dimë sa lëndë mund t’i kryejë, p.sh. mund t’i kryejë 250 lëndë, po nuk mund t’i kryejë njëmijë lëndë, edhe nëse punon në tri ndërrime është e pa mundur”,
thekson Hasani.