"Dhomë e ftohtë" për mbetjet mortore

Ekspertët ligjorë pranë një varreze masive në Gjilan (Foto arkiv)


Rreth 420 mbetje mortore, të cilat vazhdojnë të presin identifikimin, e të cilat deri më tash kanë qenë të vendosura në kontejnerë, prej sot janë vendosur në një dhomë të veçantë, të quajtur ndryshe edhe “Dhoma e ftohtë”. Kjo dhomë përmban 20 frigoriferë për ruajtjen e këtyre mbetjeve.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, tha se të gjitha mbetjet mortore, që nuk janë identifikuar, tash e tutje do të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa të përfundojë i tërë procesi i identifikimit.

Kelmendi ripërsëriti se Qeveria është e interesuar që të ndihmojë rreth zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“Më në fund, këto mbetje mortore u hoqën prej kontejnerëve dhe u vendosën në dhoma- frigoriferë, apo në kaseta, që janë të standardeve më të larta, të standardeve më të përsosura në rajon. Nuk ka asnjë vend të rajonit që ka kaseta të tilla”, tha ministrja Kelmendi.

Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se ndërtesa ku është vendosur ”Dhoma e ftohtë”, ka kushtuar rreth 200 mijë euro. Ndërsa, në katin e sipërm të ndërtesës, tha ajo, është paraparë të ndërtohet laboratori për analiza të ADN-së.

“Shpresoj që edhe mjetet për sigurimin e laboratorit të ADN-së do të bëhen nga ana e Qeverisë. Ky laborator, kur të kompletohet, do ta ketë rolin e shumëfishtë edhe rolin primar - që është identifikimi i mbetjeve mortore. Dhe, roli tjetër është edhe arsimor”
, tha Kelmendi.

Ndryshe, në morgun e Zyrës së Personave të Zhdukur thuhet se ka mbetje mortore, të cilat janë identifikuar, por nuk janë marrë ende nga askush.

Drejtori i Departamentit për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se nga shtatori i vitit të kaluar janë identifikuar 40 mbetje mortore.

“I kemi 150 viktima, të cilat janë identifikuar dhe familjarët nuk i marrin. Janë familjarë, të cilët ende shpresojnë se (të afërmit e tyre) janë të gjallë, apo diku në Serbi. Ndërsa, me analiza të ADN-së janë identifikuar. E dimë që në terren ka ende sekserë, të cilët i shfrytëzojnë këto dhimbje të familjarëve”,
tha Gërxhaliu.

Familjarët e të zhdukurve vazhdojnë të apelojnë tek institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, për t’i bërë trysni Beogradit që të japë informacione për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

Arsim Gërxhaliu tha se, së fundi, ka informacione të ndryshme për ekzistimin e mundshëm të varrezave masive. Ai pohoi se të gjitha vendet e dyshuara do të hulumtohen.

“Kemi fjalë për disa varreza të tjera, për të cilat procesi është duke shkuar pak më ngadalë. Por, përmirësimi i kohës tash na lejon që më shpejt t'u qasemi këtyre terreneve. Do të hapet çdo lokalitet, për të cilin ka arritur informatë se ekziston një varrezë masive. Shpresoj edhe pika e Letnicës, për të cilën fjalët apo informatat tregojnë se ka një varrezë masive”, theksoi Gërxhaliu.

Aktualisht, analizat e ADN-së për mbetjet mortore nga Kosova bëhen në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), në Bosnjë.