Sa mund ta luftojë Qeveria korrupsionin?

Ndërsa autoritetet ndërkombëtare po kërkojnë nga Qeveria që ta luftojë korrupsionin, kjo e fundit hedh fajin te gjyqësori. Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit thotë se ekzekutivi dhe legjislativi duhet t’i ofrojnë kushte më të mira për punë gjyqësorit, që ai të merret në mënyrë të duhur me korrupsionin.




Gjithnjë e më shumë, autoritetet ndërkombëtare po e adresojnë Qeverinë si përgjegjësen kryesore për ta luftuar korrupsionin. Kurse, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se të gjitha deklaratat, që dalin nga faktorët ndërkombëtarë për korrupsionin, janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë.

Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, thotë se lufta kundër korrupsionit nuk është përgjegjësi vetëm e ekzekutivit kosovar. Sipas tij, duhet të këtë bashkëpunim të ngushtë në mes të legjislativit, Qeverisë dhe gjyqësorit, në mënyrë që të luftohet korrupsioni.

“Për ta luftuar në mënyrë efikase, padyshim duhet që këto tri hallka të funksionojnë brenda përgjegjësive të veta. Fatkeqësisht, deri tash kemi pasur ngecje të dukshme, siç është thënë në të gjitha raportet e huaja dhe veçanërisht në konkludimet e Qeverisë, se gjyqësori ka një mungesë të efikasitetit në luftimin e korrupsionit”.

“Ne, si ekzekutiv i vendit, kemi bërë gjithçka që është brenda përgjegjësive dhe kompetencave tona, për ta luftuar korrupsionin, por shpresojmë që në këtë dinamikë të na ndjekë veçanërisht gjyqësori”
, thotë Krasniqi.

Edhe drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, konsideron se të gjitha institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në luftën kundër kësaj dukurie.

Sipas tij, strukturat qendrore, si Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, duhet t’i mundësojnë gjyqësorit kushte më të mira për punë.

“Mendoj se adresa janë edhe Qeveria, edhe mekanizmat e tjerë. Potencoj vazhdimisht që gjyqësori është ai që duhet të fuqizohet, definitivisht duhet të dërgojë sinjale se lufta kundër korrupsionit ka filluar”.

“Mirëpo, Qeveria dhe Kuvendi, strukturat qendrore, duhet t’i krijojnë gjyqësorit kushte për punë dhe nga gjyqësori e mekanizmat e tjerë të kërkojnë përgjegjësi”
, thotë Preteni.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për krijimin e një departamenti të veçantë, të quajtur task-forcë, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas Memli Krasniqit, ky departament do të ndihmojë edhe më shumë në luftën kundër korrupsionit, për të cilën gjë, shton ai, Qeveria ka edhe përkrahjen e misionit evropian për sundimin e ligjit - EULEX.

“Në këtë drejtim, kemi pasur dhe kemi mbështetjen e plotë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, me të cilët jemi në koordinim të plotë, veçanërisht me EULEX-in, për sa i përket task-forcës nën prokurorinë speciale”.

“Mendojmë se rezultatet do të jenë evidente gjatë këtij viti, meqenëse tashmë ka filluar edhe selektimi i policëve hetues, i prokurorëve, në mënyrë që të bëhet konsolidimi dhe funksionimi sa më shpejt i kësaj force”
, thotë Krasniqi.

Nga ana tjetër, nënkryetari i partisë opozitare Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se në cilindo vend demokratik, qeveria duhet të iniciojë proceduara për të luftuar korrupsionin.

Gashi thotë gjithashtu se, përveç institucioneve të Kosovës, korrupsioni duhet të luftohet edhe nga faktori ndërkombëtar në vend.

“(Qeveria) duhet ta dëshmojë këtë me veprime konkrete, duke rritur efiçiencën e funksionimit të gjykatave. Unë e di që pushtetet janë të ndara, por, megjithatë, Qeveria është ajo, e cila mund të iniciojë në çdo kohë thirrje në përgjegjësi, mund të iniciojë procedimin e lëndëve në gjykata, mund të iniciojë luftimin e korrupsionit”, thekson Gashi.

Zyrtarë të EULEX-it, kohë më parë, kanë thënë se po merren me shqyrtimin e dhjetëra rasteve të krimit të organizuar në Kosovë. Ndërkohë, Policia e Kosovës konfirmon se në dy muajt e fundit ka hapur mbi 30 raste të reja, që dyshohet se kanë të bëjnë me korrupsion.