Peticioni në Kuvend?

Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti.


Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, në një takim që ka pasur me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka dorëzuar këtij të fundit peticionin me rreth 150 mijë nënshkrime të qytetarëve, të mbledhura për të kundërshtuar procesin gjyqësor ndaj Kurtit.

Në takimin e mbajtur me kryeparlamentarin Krasniqi, përfaqësues të shoqërisë civile kërkuan që, lidhur me rastin Kurti, të mbahet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare.

Valon Murati, njëri nga anëtarët e Këshillit, tha:

“Kërkesa jonë kryesore ishte që, duke u bazuar në këtë peticion, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme ose në procedurë normale, t’i trajtojë ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007”.

“Këto ngjarje që janë përcjellë me vrasjen e dy qytetarëve, nuk janë trajtuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i tyre është edhe një sublimim i dy kërkesave tona të peticionit, i kërkesave të 150 mijë qytetarëve”
, tha Murati.

Dy nga kërkesat kryesore të këtij peticioni kanë të bëjnë me mbylljen e procesit gjyqësor kundër Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve për vrasjen e 10 shkurtit të vitit 2007.

Murati tha se trajtimi i kësaj çështjeje në Kuvendin e Kosovës, nuk nënkupton përzierje në punët e gjyqësorit, por, përkundrazi, shtoi ai, do të ishte një ndihmë për sistemin e drejtësisë.

“Ne nuk kemi kërkuar që Kuvendi të marrë vendim. Kuvendi nuk mund të marrë vendim që procesi të mbyllet, por Kuvendi mund ta trajtojë këtë brengë të qytetarëve në një debat. Ata janë përfaqësuesit tanë, i kemi zgjedhur ne vetë dhe është obligim që brengën e 150 mijë qytetarëve ta trajtojnë në Kuvendin e Kosovës”.

“Ne, sistemin e drejtësisë nuk e kemi në gjendjen më të mirë; besoj, të gjithë pajtohemi këtu. Dhe, nëse për problemet e drejtësisë nuk bisedohet në Kuvendin e Kosovës, unë nuk di ku mund të bisedohet tjetër”
, tha Murati.

Sidoqoftë, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit, pas takimit me kryetarin Krasniqi, deklaroi se ka marrë premtime se kjo çështje do të trajtohet nga ana e Komisionit për peticione dhe nga vetë ligjvënësit.

“Gjetëm një atmosferë të mirë te kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili na premtoi se këto nënshkrime do të përcillen në komisionin përkatës, si dhe në një seancë të Kuvendit të Kosovës do të trajtohen”, deklaroi Murati.

Më 11 shkurt, 2010, u krijua Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit. Ky këshill përbëhet nga një numër organizatash dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Kurse, më 15 shkurt ka nisur nënshkrimin i peticionit, për të përfunduar më 5 mars.