Mbrojtja e gjyqtarëve

Për shkak të ndjeshmërisë së punës, gjyqtarëve të Kosovës jo rrallë herë u ndodh të përballen me kërcënime të ndryshme, që mund t’ua vënë madje edhe jetën në rrezik

Por, informacionet e fundit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës flasin për një mbrojtje eventuale të tyre nga ana e Policisë së Kosovës.

Kryetarja e këtij këshilli, Lirie Osmani, thotë se tashmë ka filluar të shqyrtohet mundësia që gjyqtarëve, të cilët punojnë në rastet e rënda, por edhe të tjerëve, t’u ofrohet mbrojtja, nëse ata e shohin të domosdoshme.

“Ju e dini se me cilat lëndë merren gjyqtarët dhe prokurorët tanë... Natyrisht që mbrojtja është e nevojshme, pa marrë parasysh a paraqitet kërkesa apo jo. Ajo mbrojtje duhet të ekzistojë dhe duhet të ofrohet në mënyrë që edhe opinioni ta dijë se gjyqtarët i mbron organi, i cili është kompetent - në këtë rast është Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, thotë Osamani.

Në kuadër të angazhimeve në këtë drejtim, zonja Osmani paralajmëron edhe mbajtjen e takimeve me zyrtarë të misionit të EULEX-it dhe ata të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të përshpejtohet rregullimi i kësaj çështjeje.

“Çështja e mbrojtjes është një çështje shumë me rëndësi, për shkak se kanë ndodhur disa eksese nëpër gjykata dhe prokurori. Këtë çështje e kemi shqyrtuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe unë mendoj se duhet të arrijmë të nënshkruajmë një memorandum me Policinë e Kosovës, që në rastet kur prokuroret kërkojnë mbrojtje, ata të sigurojnë një person, i cili duhet ta mbrojë gjatë punës, e edhe pas punës nëse paraqitet nevoja”
, thotë Osmani.

Edhe kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Anton Nokaj, e konsideron të nevojshme mbrojtjen e gjyqtarëve. Nokaj thotë se një çështje e tillë duhet të merret më seriozisht edhe nga ana e institucioneve kosovare, pasi, sipas tij, rreziku për gjyqtarët është gjithmonë i mundshëm.

“Ne nuk kemi insistuar që ta kemi një mbrojtje të tillë, por vërtet ajo mungon. Nuk kemi insistuar sepse jemi të vetëdijshëm që ajo është me shpenzime, bukur e ndërlikuar, duhet një numër i konsiderueshëm i njerëzve të sigurimit, e kam fjalën të policisë”, thotë Nokaj.

Nokaj insiston sidomos në mbrojtjen e gjyqtarëve, të cilët merren me raste të rënda, ndonëse pohon se mbrojtja është e nevojshme për të gjithë, sidomos kur rreziku, sipas tij, është evident.

“Në të gjitha nivelet ka nevojë, por sidomos në qarqe. Si për prokurorët, si për gjyqtarët që kanë raste të rënda, do të ishte mirë, preventivë e mirë, që të merren masa të sigurisë. Nuk them në mënyrë bukëvale që ata të rrinë te dera, por të jetë një shtim i kujdesit ndaj këtyre personave, e në veçanti në raste të caktuara kur sinjalizohet se rreziku është evident”
, thotë Nokaj.

Sido që të jetë, mbrojtja e veçantë e gjyqtarëve konsiderohet si pozitive në mbarëvajtjen e punës së tyre, të cilët, në disa raste, kanë rënë pre e sulmeve të ndryshme.