Simpatizantët e PDK-së nisin festën në Mitrovicë të Jugut
Simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë nisur festën në Mitrovicë të Jugut, ku sipas parashikimeve, Arian Tahiri i kësaj partie do ta fitojë këtë komunë në rundin e parë.
Më poshtë ju sjellim disa fotografi nga festa e simpatizantëve të PDK-së në këtë qytet:
Agim Aliu shpall fitoren në Ferizaj
Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale në komunën e Ferizajt.
Gjatë një fjalimi në këtë qytet, ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë që të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm.
“Sonte fituan të gjithë, fitoi Ferizaj dhe ferizajasit. U dëshmua se puna mbizotëron mbi zhurmën”, tha ai.
Parashikimet e nxjerrin atë të parin, duke ia dhënë edhe një mandat në krye të kësaj komune që në rundin e parë të zgjedhjeve.
Sipas të dhënave të KQZ-së, dalja në rundin e parë të zgjedhjeve lokale ishte 39.47 për qind.
Policia: Gjatë zgjedhjeve nuk pati incidente serioze
Policia e Kosovës vlerësoi se rundi i parë i zgjedhjeve lokale ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze.
Sipas njoftimit, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë ditës ka iniciuar dy raste për cenim të fshehtësisë së votës – në fshatin Bare të Mitrovicës së Jugut dhe në Kllokot – ndërkaq rastet e dyshuara për fotografinë e votës, me autorizim të prokurorëve, kanë mbetur si “shënim zyrtar”.
“Lidhur me rastet, personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt”, u tha në njoftim.
Po ashtu, gjatë ditës Policia tha se ka trajtuar rreth dhjetë informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me votimet, por prokurorët kanë vlerësuar se nuk ka pasur elementë apo dëshmi që këto raste ndërlidhen me vepra penale.