PDK parashihet që ta mbajë Ferizajn
Kryetari aktual i Ferizajt, Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës parashikohet që ta fitojë edhe një mandat, që në rundin e parë, sipas dy exit poll-eve të publikuara nga televizionet Klan Kosova dhe T7.
Prizreni pritet të vendosë për kryetarin e ri në balotazh
Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, do të përballen në rundin e balotazhit.
Parashikimet se kjo komunë do të shkojë në balotazh janë bërë nga disa exit poll-e të publikuara në Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.
Hamza shpall fitoren e PDK-së në Mitrovicë të Jugut
Kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka shpallur fitoren e partisë së tij në këtë komunë.
“Faleminderit për këtë fitore madhështore, Mitrovicë”, shkroi ai në Facebook, pasi sipas disa exit poll-eve, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri pritet të fitojë drejtimin e kësaj komune që në rundin e parë.
Hamza ka ftuar qytetarët e Mitrovicës së Jugut për festë sonte në palestrën “Minatori” në këtë qytet.
DnV: Proces i votimit, i qetë dhe demokratik
Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoroi procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV), tha se procesi ishte i qetë dhe demokratik.
Megjithatë, DnV-ja vuri në pah se ka pasur disa parregullsi gjatë votimeve.
“Votimi me asistencë ka qenë një dukuri shumë e shprehur, ku shumë votues, sidomos gratë dhe të rinjtë, janë asistuar nga të afërmit e tyre dhe persona të tjerë. Madje, në shumë raste, votimi me asistencë nuk është evidentuar fare në librin e votimit”, tha DnV-ja.
Telashe për votuesit kanë shkaktuar edhe ndryshimi i qendrave të votimit për qytetarët dhe “një numër i lartë i votuesve janë kthyer pa pasur mundësi të votojnë, pasi emrat e tyre nuk janë gjetur në listën e votuesve”.
“Vëzhguesit e DnV-së kanë evidentuar edhe prani të materialeve promovuese, posterë e kartëvizita brenda perimetrit prej 100 metrash të Qendrave të Votimit, ndërsa në disa komuna ka pasur edhe votim të organizuar për grupe qytetarësh”, tha DnV-ja në një njoftim për media pas mbylljes së vendvotimeve.
Ky koalicion u bëri thirrje komisionerëve që të bëjnë numërimin e votave me përkushtim dhe partive politike që me qetësi t'i presin rezultatet zyrtare.