Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, thotë se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit tregon se vonesat në këtë proces nuk janë vetëm çështje politike, por edhe shkelje e normave kushtetuese që garantojnë funksionimin e shtetit.
“Dështimi i konstituimit nuk mund të përdoret si arsye e drejtpërdrejtë për zgjedhje të reja; është më tepër një problem që duhet të zgjidhet brenda mekanizmave të vetë Kuvendit dhe me orientim të qartë nga Gjykata Kushtetuese”, thotë ai në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ky aktgjykim vendos kufij për sjelljen e aktorëve politikë dhe konfirmon se demokracia funksionon vetëm kur institucionet ushtrojnë kompetencat e tyre në kohë dhe sipas Kushtetutës.
Ai shton se nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë brenda afatit, krijohet një situatë e re kushtetuese që kërkon qartësim institucional.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi më 18 gusht aktgjykimin e plotë mbi çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 8 gusht, ajo u dha deputetëve afat prej 30 ditësh për të zgjedhur kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se i njëjti kandidat mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Çerkini, si e vlerësoni aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit? Çfarë nënkupton ai praktikisht?
Zahir Çerkini: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit paraqet një vendim me rëndësi të veçantë në kuadër të zhvillimeve të fundit politike dhe institucionale.
Në aspektin kushtetues, ai përforcon parimin se Kuvendi, si organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve, duhet të funksionojë pa vonesa dhe sipas procedurave të përcaktuara qartë nga Kushtetuta.
Një element i rëndësishëm i këtij aktgjykimi është fakti se u ruajt koncepti i fitores në zgjedhje, duke ia lënë ekskluzivisht partisë ose koalicionit fitues të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Ky është një mekanizëm që garanton respektimin e vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhje dhe forcon legjitimitetin demokratik.
Gjykata është treguar e kujdesshme që interpretimi i saj të mbështetet në parimet themelore të Kushtetutës dhe të konstitucionalizmit perëndimor, duke synuar ruajtjen e rendit kushtetues dhe të balancave ndërmjet institucioneve.
Në praktikë, ky aktgjykim nënkupton se vonesat e mëtejshme në konstituimin e Kuvendit nuk janë vetëm çështje politike, por paraqesin edhe shkelje të normave kushtetuese që garantojnë funksionimin e shtetit.
Prandaj, ky vendim ka një funksion mbrojtës: ai vendos kufij të qartë për sjelljen e aktorëve politikë dhe forcon parimin se demokracia funksionon vetëm kur institucionet konstituohen dhe ushtrojnë kompetencat në kohë dhe sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Radio Evropa e Lirë: Në aktgjykim nuk përmenden pasoja konkrete nëse Kuvendi dështon ta respektojë vendimin. Çfarë ndodh nëse edhe pas 30 ditësh Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kryetarin?
Zahir Çerkini: Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë kryetarin dhe kryesinë brenda afatit, atëherë kemi një situatë të re kushtetuese që kërkon qartësim institucional. Në një rast të tillë, është e pritshme që presidentja ose ndonjë subjekt tjetër i autorizuar ta rikthejë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim shtesë mbi hapat e mëtejmë.
Idetë se vendi duhet të shkojë automatikisht në zgjedhje në këtë fazë, nuk kanë mbështetje kushtetuese. Kushtetuta parashikon zgjedhje të reja vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituuar dhe të realizohet një nga rrethanat kushtetuese të përcaktuara për shpërndarjen e tij.
Prandaj, përsëritja e gabimit të njohur si ‘rasti Hoti’, ku interpretimet çuan drejt një rruge të diskutueshme në pikëpamje kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve, duhet të shmanget.
Në këtë kuptim, dështimi i konstituimit nuk mund të përdoret si arsye e drejtpërdrejtë për zgjedhje të reja; është më tepër një problem që duhet të zgjidhet brenda mekanizmave të vetë Kuvendit dhe me orientim të qartë nga Gjykata Kushtetuese.
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij i ka respektuar gjithmonë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por shtoi se nëse aktgjykimi i fundit është “pazakonshëm i padrejtë, ndoshta duhet të konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”. Nga perspektiva kushtetuese, a mund të zgjedhin aktorët politikë se deri ku do t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese?
Zahir Çerkini: Pavarësisht çdo gjykimi politik, qytetarët dhe aktorët politikë duhet ta kuptojnë se një shoqëri është vërtet e emancipuar nëse i bindet rendit të saj kushtetues.
Çështjet kushtetuese nuk janë thjesht çështje të zakonshme juridike dhe politike; ato janë çështje “elitare”, sepse lidhen me parimet, vlerat dhe funksionimin e vetë shtetit.
Kushtetuta përfaqëson kontratën më të lartë politike dhe juridike të një shoqërie demokratike, ndërsa Gjykata Kushtetuese është organi i fundit i autorizuar për ta interpretuar dhe mbrojtur atë.
Prandaj, respektimi i aktgjykimeve të Gjykatës nuk është një opsion që aktorët politikë mund ta zgjedhin ose jo, por një obligim i domosdoshëm.
Çdo veprim i kundërt do t’i minonte themelet e shtetit ligjor dhe do të rrezikonte të prodhonte krizë të thellë institucionale.
Në këtë kuptim, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është test i pjekurisë demokratike dhe tregues i emancipimit politik e shoqëror.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, a mund të propozohet sërish Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit?
Zahir Çerkini: Po, zonja Albulena Haxhiu mund të propozohet sërish për kryetare të Kuvendit. Megjithatë, kjo duhet të bëhet duke respektuar kufijtë dhe udhëzimet që tashmë i ka përcaktuar aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.