Ndërlidhjet

Yulia Navalnaya: Putini s’do të shpëtojë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e burrit tim


Yulia Navalnaya, bashkëshortja e kritikut të zëshëm të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili raportohet se ka vdekur në burgun rus, duke folur në Konferencën e Sigurisë në Munih, Gjermani, 16 shkurt 2024.
Yulia Navalnaya, bashkëshortja e kritikut të zëshëm të Kremlinit, Alexei Navalny, i cili raportohet se ka vdekur në burgun rus, duke folur në Konferencën e Sigurisë në Munih, Gjermani, 16 shkurt 2024.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e Alexei Navalnyt, tha të premten Yulia Navalnaya, bashkëshortja e kritikut të zëshëm të Kremlinit.

Yulia Navalnaya i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.

“Nuk e di nëse duhet t’i besojmë lajmit të tmerrshëm. Ne nuk mund t’i besojmë Putinit dhe Qeverisë së tij. Por, nëse kjo është e vërtetë, do të doja që Putini dhe i gjithë stafi i tij, i gjithë rreth i tij, Qeveria e tij dhe miqtë e tij, ta dinë se do të ndëshkohen për atë që kanë bërë me shtetin tonë, me familjen time dhe me bashkëshortin tim”, tha Yulia Navalnaya për raportimet për vdekjen e bashkëshortit të saj në burgun rus.

Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.

Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Tëitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

"Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t'iu njoftojmë", shkroi ajo.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG