Ndërlidhjet

Vuçiq: Ukraina do të humbë gjithçka, nëse e njeh Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ukraina "do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë", nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ai pretendon se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.

“Pas kësaj, si mund të thotë Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se [presidenti i Ukrainës Volodymyr] Zelensky nuk do ta hedhë këtë atu”, tha Vuçiq më 8 gusht.

Ukraina është duke u përballur me një agresion rus që nga shkurti 2022, kur Moska e nisi pushtimin e saj. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas, Krimenë.

Ai shtoi se Ukraina është një shtet mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vuçiqi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarët të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë është diplomacia parandaluese për Kosovën dhe Serbinë? Çfarë është diplomacia parandaluese për Kosovën dhe Serbinë?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:04:24 0:00

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.

Vuçiq tha se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë.”

“Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, shtoi Vuçiq.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG