Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpreson se lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të zgjidhet para se Ukrainës t’i nevojiten raketat Tomahawk.
Trump e tha këtë gjatë një takimi me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë, të premten në mbrëmje.
“Shpresoj që të mos kenë nevojë për to. Shpresoj që të mund ta përfundojmë luftën pa qenë nevoja të mendojmë për raketat Tomahawk”, u tha Trump gazetarëve para se dy liderët të zhvillonin bisedime me dyer të mbyllura.
Ai shtoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mund të kenë nevojë për raketa të tilla për qëllime të veta.
“Raketat Tomahawk janë gjë e madhe. Por, një gjë duhet ta them, edhe ne i duam raketat Tomahawk. Nuk duam të japim gjëra që na duhen për ta mbrojtur vendin tonë”, shtoi ai.
Nga ana e tij, Zelensky përmendi një marrëveshje të mundshme, në të cilën Ukraina do t’i ofronte prodhimit ushtarak amerikan teknologji dronësh në këmbim të raketave me rreze të gjatë veprimi.
Presidenti ukrainas shtoi se vendi i tij ka “mijëra” dronë, por “nuk ka Tomahawk”.
Në prag të vizitës së tretë të Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Trumpi zhvilluan një telefonatë të enjten, me kërkesë të Kremlinit, duke hapur rrugën për një takim të mundshëm në Budapest mes dy liderëve.
Duke folur përballë Zelenskyt një ditë më vonë, Trumpi tha se Putini “dëshiron ta përfundojë luftën,” ndërsa presidenti ukrainas bëri thirrje për më shumë trysni ndaj Kremlinit për ta sjellë atë në tryezën e negociatave.
Megjithatë, i pyetur nëse ishte i shqetësuar se presidenti rus mund të përpiqej të fitonte më shumë kohë për përpjekjet ushtarake të Moskës, Trump u përgjigj: “Po, jam”.
“Jam përballur gjithë jetën me më të mirët në këtë lojë, dhe gjithmonë kam dalë mirë. Pra, është e mundur që ai po kërkon pak kohë, dhe kjo është në rregull”, tha Trump.
“Por, mendoj se ai dëshiron të arrijë marrëveshje”.
Biseda e papritur mes presidentëve amerikan dhe rus i gjeti të papërgatitur përfaqësuesit ukrainas në Uashington, të cilët po kërkonin blerjen e raketave dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore amerikane, në një kohë kur Rusia po vazhdon sulmet e pamëshirshme ndaj infrastrukturës civile dhe energjetike të vendit.
Moska e ka paralajmëruar më parë Uashingtonin që të mos i japë Ukrainës raketa Tomahawk.
Putini ka theksuar se furnizimi me raketa të tilla do të përbënte “fazë krejtësisht të re të përshkallëzimit” mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Të enjten, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban - një nga aleatët e paktë të Putinit në BE - foli gjithashtu me liderin rus, duke premtuar bashkëpunim të plotë për ta pritur takimin e mundshëm mes tyre në Budapest.
“Përgatitjet po ecin me shpejtësi të plotë!”, shkroi ai në një postim në Facebook, duke lënë të kuptohet se Hungaria nuk do të kërkojë arrestimin e Putinit, pavarësisht fletarrestimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, u tha gazetarëve në Bruksel se blloku mirëpret “çdo takim që çon përpara procesin për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën”.
Trump, i cili mori detyrën duke premtuar se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve, është shprehur i zhgënjyer disa herë nga mungesa e përparimit për arritjen qoftë edhe të një armëpushimi, e lëre më të ndonjë marrëveshjeje për paqe të qëndrueshme.
Përveç takimit të tij të parë me Putinin në Alaskë në gusht, Trumpi ka biseduar në telefon me liderin rus të paktën tetë herë, ndërsa i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, është takuar me Putinin në Moskë të paktën pesë herë.
Qëndrimi i Trump ndaj Putinit - dhe ndaj luftës së Moskës në përgjithësi - ka ndryshuar ndjeshëm muajt e fundit, pasi Rusia po vazhdon të avancojë në fushëbetejë dhe të godasë qytetet e Ukrainës, përfshirë rrjetin elektrik dhe infrastrukturën e gazit natyror.