Ndërlidhjet

Trump shtyn tarifat ndaj BE-së


Një takim mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Zvicër, më 2020.
Një takim mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Zvicër, më 2020.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta shtyjnë zbatimin e një tarife prej 50 për qind ndaj mallrave nga Bashkimi Evropian deri më 9 korrik, për t’iu dhënë kohë negociatave me bllokun për një marrëveshje tregtare.

Pajtimi u arrit pas një bisede telefonike, të dielën, me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila i kishte thënë Trumpit se donte “negociata serioze”, sipas presidentit amerikan.

“I thashë kujtdo që do të dëgjonte, se këtë duhej ta bënin”, deklaroi Trump para gazetarëve në Morristaun të Nju-Xhersit, më 25 maj, teksa po përgatitej të kthehej në Uashington.

Von der Leyen, sipas Trumpit, u zotua se BE-ja do të angazhohej shpejt për të punuar drejt një zgjidhjeje, raporton Associated Press.

Në një postim në mediat sociale, të premten, Trump kishte kërcënuar BE-në me tarifë, duke u ankuar për qasjen e bllokut 27-anëtarësh dhe mungesën e përparimit në bisedime.

Tarifat, kishte paralajmëruar ai, do të hynin në fuqi më 1 qershor.

Por, biseda me von der Leyen duket t’i ketë zbutur tensionet, të paktën tani për tani.

“U pajtova me zgjatjen e afatit – deri më 9 korrik 2025. Ishte privilegji im”, shkroi Trump në platformën Truth Social.

Nga ana e saj, von Der Leyen tha se BE-ja dhe SHBA-ja “kanë marrëdhënien më të rëndësishme dhe më të ngushtë tregtare në botë”.

“Evropa është e gatshme për përparim të shpejtë dhe vendimtar në bisedime”, u shpreh ajo. “Për të arritur një marrëveshje të mirë, do të na duhet koha deri më 9 korrik”.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG