Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha më 4 maj se nga sulmet ajrore izraelite në territorin palestinez janë vrarë 16 persona, përfshirë tre fëmijë.
Gjashtë persona u vranë në sulmet gjatë natës në Han Junis, në jug të Rripit të Gazës, tha zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal. Në mesin e tyre ishin edhe dy djem pesë dhe dy vjeç, kur një sulm goditi një ndërtesë në Al-Mavasi.
Kjo agjenci më pas tha se edhe dhjetë persona u vranë pas një sulmi në një tendë në Al-Mavasi, në mesin e tyre edhe një fëmijë dhe shtatë gra.
Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këto sulme.
Megjithatë, në një deklaratë të publikuar mëngjesin e së dielës, ushtria izraelite tha se ka “goditur më shumë se 100 caqe terroriste në mbarë Rripin e Gazës” në dy ditët e fundit.
Izraeli pretendoi po ashtu se janë gjetur armatime dhe janë vrarë “një numër i terroristëve” në jug të Gazës.
Izraeli nisi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars pas dy muajsh armëpushim në luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u nxit nga sulmi i grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor 2023.
Ministria e Shëndetësisë, në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, ka thënë se të paktën 2.436 persona janë vrarë që kur Izraeli rinisi fushatën në Gazë, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të arrijë në 52.535.
Izraeli po ashtu ka bllokuar dërgesat me ndihma humanitare për në Gazë. Sipas Izraelit, bllokada synon t’i bëjë presion Hamasit që të lirojë pengjet e mbetura që mori më 7 tetor, kur vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.