Ndërlidhjet

Prattipati: Jemi të zhgënjyer me veprimet dhe deklaratat e fundit të Kurtit


E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. Fotografi nga arkivi.
E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. Fotografi nga arkivi.

Shkurtimisht

  • SHBA-ja ka thënë se është e "zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti"
  • Sipas Ambasadës amerikane, Kurti, me qëndrimet e tij, ka rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë
  • Së voni, Kurti ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendime gjatë mandatit të tij, si dhe e akuzuar gjykatën më të lartë të shtetit për njëanshmëri

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, po rrisin “paqëndrueshmërinë në Kosovë”.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, tha diplomatja amerikane në një përgjigje për Kohën.

Ajo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar përgjigjen e tyre, “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, tha Prattipati.

Disa orë pas publikimit të kësaj deklarate, Amabasada amerikane në Prishtinë njoftoi për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të, siç u tha, veprimeve të Qeverisë në detyrë.

Së voni, Kurti, që njëherësh është edhe udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendime gjatë mandatit të tij si dhe e akuzuar gjykatën më të lartë të shtetit për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Kushtetuesja ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Kurtit dhe të nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, duke thënë se paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.

Kushtetuesja aktualisht po e trajton një lëndë të dërguar nga Lista Serbe – partia kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – e cila kundërshton ndarjen e votimit për nënkryetarin e Kuvendit nga pakicat joserbe me atë nga komuniteti serb.

Gjykata ka vendosur një masë të përkohshme, që parandalon çdo veprim në Kuvend deri më 30 shtator si dhe çdo procedurë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Po ashtu, partia e Kurtit së voni ka bërë përpjekje, të pasuksesshme, për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndonëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u votua për moscertifikimin e kësaj partie, instancat më larta, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykata Supreme, e rrëzuan këtë vendim.

Pak para votimit në KQZ, Prattipati kishte shprehur shqetësim për çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale. Ajo këtë shqetësim e ngriti pas takimit që zhvilloi me Kurtin më 21 gusht.

LVV-ja kishte tentuar që t'ia pamundësonte Listës Serbe pjesëmarrjen edhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, por instancat më të larta rrëzuan vendimin për moscertifikim.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG