Ndërlidhjet

Rumania mban zgjedhjet presidenciale

E përditësuar

Një qendër votimi në Bukuresht të Rumanisë më 4 maj 2025.
Një qendër votimi në Bukuresht të Rumanisë më 4 maj 2025.

Në Rumani të dielën po mbahen zgjedhjet e rëndësishme presidenciale, të cilat u anuluan vitin e kaluar, duke e futur shtetin e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në krizën më të rëndë politike në dekada.

Njëmbëdhjetë kandidatë po garojnë në zgjedhje dhe pritet që më 18 maj të mbahet rundi i balotazhit. Vendvotimet u hapën në orën 07:00, sipas kohës lokale, dhe do të mbyllen në orën 21:00. Ndërkaq, diaspora rumune ka mundur të votojë që nga e premtja.

Deri në orën 16:00, sipas kohës lokale, dalja në zgjedhje ishte shumë më e ulët krahasuar me rundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura nëntorin e vitit të kaluar.

Fokusi nuk është vetëm në atë se kush mund të fitojë, por edhe nëse mund të shmanget debakli i vitit të kaluar.

Herën e kaluar, në nëntor kandidati nacionalist prorus, Calin Georgescu, shkaktoi befasi të madhe kur në rundin e parë doli i pari, duke fituar rreth 2 milionë vota. Paraprakisht i parë si një figurë pa gjasa për fitore, megjithatë, ai nuk pati fatin që të garojë në rundin e balotazhit.

Autoritetet rumune anuluan rezultatet mes akuzave për ndërhyrje ruse në fushatën zgjedhore. Më pas, Georgescut iu ndalua që të garojë në zgjedhjet e reja dhe autoritetet vendosën një sërë rregulla për zgjedhjet e reja që po mbahen tani.

Ngjarjet e vitit të kaluar ishin jashtëzakonisht kundërthënëse dhe i dhanë Rumanisë një rëndësi të papritur në mediat ndërkombëtare. Kur nënpresidenti amerikan, JD Vance, reagoi gjatë një fjalimi në Konferencën për Sigurinë në Munihut në shkurt, situata u bë edhe më e tensionuar.

“Rumania anuloi rezultatet e një zgjedhjeje presidenciale, bazuar në dyshime të dobëta të një agjencie inteligjence dhe nën presionin e madh nga fqinjët e saj kontinentalë”, u shpreh ai para një audience të habitur politikanësh dhe diplomatësh.

Sikurse shumë shtete të BE-së, sentimentit antiestablishment është i lartë në Rumani, i nxitur nga inflacioni i lartë dhe kostoja e jetesës, deficiti i lartë buxhetor dhe një ekonomi e dobët.

Përderisa të dhënat nga sondazhet lokale duhet të merren me rezervë, gjysma e sondazheve sugjerojnë se nacionalisti i ekstremit të djathtë, George Simion, ka gjasë të hyjë në rundin e balotazhit, ku pritet të përballet me kryetarin e Bukureshtit, Nicusor Dan, apo me kandidatin e koalicionit qeverisës, Crin Antonescu.

Dan, 55 vjeç, është matematikan dhe aktivist kundër korrupsionit i cili ka themeluar partinë Bashkimi për Shpëtimin e Rumanisë (USR) më 2016. Ai po garon me një ofertë pro Bashkimit Evropian. Ai ka deklaruar se Rumanisë i duhet një president “i cili ka vullnet dhe aftësi për të reformuar sistemin”.

Centristi Antonescu, 65 vjeç, ka bërë fushatë duke rikthesuar orientimin properëndimor të Rumanisë, ndërkaq Victor Ponta, i cili kishte shërbyer si kryeministër nga viti 2012 deri më 2015, ka bërë një fushatë të llojit “Rumania e Para” dhe ka kërkuar që shteti të ketë raporte më të ngushta me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

Një tjetër kandidate, Elena Lasconi, doli e dyta në raundin e parë të votimeve vitin e kaluar dhe po merr pjesë edhe në përsëritjen e zgjedhjeve. Ajo është pozicionuar si një kandidate properëndimore dhe antisistem, duke denoncuar atë që e ka përshkruar si një klasë politike të korruptuar.

Mosbesimi ndaj autoriteteve mbetet i përhapur, veçanërisht mes atyre që votuan për Georgescun, një elektorat i konsiderueshëm që Simion ka kërkuar që ta fiitojë.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga afër edhe nga ndërkombëtarët, pjesërisht për shkak se Simion bëri disa deklarata kundërthënëse, duke pretenduar se pjesë e shtetit të tij janë edhe disa pjesë të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe për shkak se ka vënë në pikëpyetje ndihmën ushtarake për Ukrainë.

Ai po ashtu ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës.

Simion po ashtu ka deklaurar se partia e tij nacionaliste, Aleanca për Unitetin e Rumunëve (AUR), është “plotësisht e përafruar me lëvizjen MAGA [Bëje Amerikën Sërish Madhështore]” duke përfituar nga një valë në rritje e populizmit në Evropë pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Partia AUR u rrit gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020 kur proklamoi se mbron “familjen, kombin, besimin dhe lirinë”, dhe që atëherë ka dyfishuar mbështetjen e saj.

Zgjedhjet e përsëritura janë një moment kyç për Rumaninë, ndërsa shteti përpiqet të rikthejë demokracinë dhe të ruajë aleancat e saj gjeopolitike, të cilat janë tensionuar që anulimit të zgjedhjeve paraprake presidenciale.

Presidenti në Rumani ka një mandat pesëvjeçar dhe ka rol të rëndësishëm në marrjen e vendimeve në fushën e sigurisë kombëtare dhe në politikën e jashtme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG