Ndërlidhjet

Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj Abes


Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.

Udhëheqësit botërorë u shprehën të tronditur nga sulmi që vrau ish-kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, gjatë një fjalimi në qytetin Nara.

Abe po merrte pjesë në një tubim zgjedhor, kur u qëllua me armë zjarri.

Disa orë më vonë, transmetuesi japonez NHK raportoi se ai ka vdekur.

Sulmuesi i dyshuar u arrestua në vendin e ngjarjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të pikëlluara dhe thellësisht të shqetësuara” nga sulmi.

“Ky është një moment shumë, shumë i hidhur”, tha ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se është “thellësisht i tronditur nga të shtënat e tmerrshme” kundër Shinzo Abes.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e cilësoi sulmin si “frikacak”.

Abe ka qenë “një mik i vërtetë, mbrojtës i fuqishëm i rendit shumëpalësh dhe i vlerave demokratike”, tha Michel.

“Lajm tronditës” nga Japonia, tha kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.

“Ngjarjet si kjo na tronditin të gjithëve deri në palcë”, tha kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG