Ndërlidhjet

Raportohet për 11 të vrarë në Gazë, përfshirë tre fëmijë


Tanke izraelite në veri të Gazës. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Tanke izraelite në veri të Gazës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha se nga sulmet izraelite gjatë natës në kampin e refugjatëve në Han Junis janë vrarë të pakën 11 persona, përfshirë tre fëmijë deri në 1 vjeç.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, raportoi për 11 viktima “pas bombardimeve në shtëpinë e familjes Al-Bayram në kampin në Han Junis” në jug të Gazës. Sipas tij, sulmi ndodhi në orën 03:00, sipas kohës lokale.

Bassal tha për agjencinë AFP se tetë nga viktimat janë identifikuar se i përkasin familjes së njëjtë, përfshirë një vajzë dhe një djalë që ishin 1 vjeç, dhe një foshnje njëmuajshe.

Ushtria izraelite ende nuk është deklaruar për këto sulme.

Izraeli nisi ofensivën e tij ushtarake në Gazë më 18 mars pas dy muajsh armëpushim në luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që u nxit nga sulmi i grupit radikal në Izrael më 7 tetor 2023.

Të premten, agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi për të paktën 42 të vrarë në mbarë territorin palestinez.

Izraeli ka ndaluar hyrjen e dërgesave humanitare në Gazë që nga 2 marsi. Kjo bllokadë, sipas Izraelit, synon që t’iu bëjë presion militantëve që të lirojnë pengjet që mbahen në Gazë.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit që të heqë të gjitha kufizimet, duke argumentuar se banorët e Gazës janë duke përjetuar një katastrofë humanitare dhe kanë paralajmëruar për një krizë të urisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG