Të armatosur me një arsenal ngjyrash, artistë grafitesh nëpër botë po protestojnë kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke pikturuar art dhe murale provokuese rrugore kundër luftës. Disa artistë po përdorin mënyra novatore për t’iu ndihmuar ukrainasve të prekur nga lufta, nëpërmjet kodeve QR, të cilat i mundësojnë publikut të skanojnë grafitet për të bërë donacione. Përderisa disa njerëz i konsiderojnë grafitet shkarravina, shumë prej krijuesve të tyre i shohin ato si formë demokratike arti, e cila u jep zë atyre që nuk kanë. Kur realizohen si duhet, grafitet mund të ngritin vetëdijen për çështjet sociale, politike dhe mjedisore.
(Përgatiti: Trim Haliti)
Protesta artistike kundër luftës në Ukrainë
![Një mural, i titulluar “Fëmija i luftës”, në Los Anxhelos të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga artisti rrugor, i njohur me pseudonimin Hijack. Nëpërmjet një deklarate, ai ka thënë se “kur të rriturit bëjnë luftë, fëmijët pësojnë. Lufta më e fundit në Evropë ka shkaktuar një krizë refugjatësh, e cila mund t’i detyrojë deri në 10 milionë ukrainas të ikin nga bombat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit”.](https://d2xburwhe5dgu1.cloudfront.net/040e0000-0aff-0242-928c-08da33241341_w1024_q10_s.jpg)
1
Një mural, i titulluar “Fëmija i luftës”, në Los Anxhelos të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga artisti rrugor, i njohur me pseudonimin Hijack. Nëpërmjet një deklarate, ai ka thënë se “kur të rriturit bëjnë luftë, fëmijët pësojnë. Lufta më e fundit në Evropë ka shkaktuar një krizë refugjatësh, e cila mund t’i detyrojë deri në 10 milionë ukrainas të ikin nga bombat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit”.

2
Në një mur, në Romë, Itali, dy gra të pikturuara me ngjyrat kombëtare të Ukrainës dhe të Rusisë, shihen duke qarë dhe duke u përqafuar, teksa fjala “mir” (paqe) i bashkon të dyja. Murali është realizuar nga Laika, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars.

3
Artistët Juliano Trindade dhe Corie Mattie nga Valence Projects duke qëndruar para muralit që kanë realizuar së bashku, të titulluar “Ukrainës, me dashuri”, në Los Anxhelos, SHBA, më 8 maj. Mattie ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ishte e rëndësishme të shfaqej një shenjë shprese, me pëllumbat që ia merrnin fuqinë Putinit. “Unë mendoj se të gjitha format e artit mund të bëjnë dallimin”, është shprehur ajo. “I shtyn shikuesit të mendojnë për situatat aktuale, t’i ndryshojnë pikëpamjet, e madje edhe të veprojnë”. Ky mural ka një kod QR, i cili të çon te banka kombëtare e Ukrainës, e cila ka themeluar një fond për të mbledhur para për trupat ukrainase. “Është e rëndësishme që njerëzve t’ju ofrohet qasje në aktivizëm”, ka thënë Mattie. “Arti i mirë të bën të mendosh, por arti i mrekullueshëm të bën të veprosh”.

4
Disa nxënës të vegjël në Barcelonë, Spanjë, duke ecur para një murali nga artisti TVBOY, më 9 maj. Simboli i paqes në këtë vepër ishte krijuar për lëvizjen britanike për çarmatim bërthamor, më 1958.