Ndërlidhjet

Albulena Haxhiu
Albulena Haxhiu

S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e gjashtë

Deputetët dështuan për herë të gjashtë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.

Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

Albulena Haxhiu, për herë të katërt, i mori vetëm 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t'u zgjidhur.

Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet më 27 prill në orën 10:00.


12:10 25.4.2025

Si të dilet nga ngërçi në Kuvend?

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+) në Prishtinë, tha gjatë kësaj jave për Radion Evropa e Lirë se në aspektin politik, konstituimi i Kuvendit gjendet në një bllokadë, për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk ka rritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme nga deputetët, për ta miratuar propozimin e saj.

“Kur nuk i ke numrat, duket kompromis dhe nuk mund të imponosh kandidatë [për kryetar të Kuvendit]”, thekson Krasniqi.

Ai shton se, marrë parasysh refuzimin kategorik të propozimit të LVV-së nga tri partitë tjera, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, partia fituese do të duhej të lëshonte pe.

“Do të duhej që Lëvizja Vetëvendosje të bënte përpjekje për të dialoguar me partitë politike, në mënyrë që të ketë një kandidat të përshtatshëm - së paku për shumicën e deputetëve - në mënyrë që ta zhbllokojë situatën”, thotë Krasniqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu. Ai thekson se partitë politike duhet ta gjejnë një kompromis, i cili do ta zhbllokonte ngërçin, në të cilin ka ngecur konstituimi i Kuvendit.

Kompromisi, sipas tij, nënkupton një marrëveshje që përfshin propozimet në pako, për kryetarin e Kuvendit dhe për pesë nënkryetarët, nga partitë shqiptare dhe të komuniteteve pakicë joserbe dhe serbe.

Mungesa e marrëveshjeje eventuale ndërmjet partive politike që do ta zgjidhte situatën për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do ta thellonte edhe më tej ngërçin institucional.

Të këtij mendimi janë Krasniqi dhe Baraliu.

Siç thonë ata, nuk ka ndonjë kufizim ligjor që seanca konstituive të vazhdojë çdo 48 orë pas secilës ndërprerje, “deri në pafundësi”.

“Nëse LVV-ja nuk propozon emër, atëherë kjo mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të imponuar kandidat dhe, aq më pak, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, thotë Krasniqi.

Por, të drejtën për t’iu drejtuar për çështje të caktuara Gjykatës Kushtetuese e kanë vetëm presidentja e Kosovës, avokati i popullit dhe Kuvendi i Kosovës.

12:10 25.4.2025

Të nderuar lexues,

Me kaq po e përmbyllim mbulimin e zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës gjatë të premtes.

Faleminderit që na ndoqët!

XS
SM
MD
LG