Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vazhduar sulmet personale ndaj homologut australian, Anthony Albanese, lidhur me vendimin e Qeverisë australiane për të njohur një shtet palestinez, duke thënë se karriera politike e Albaneses është njollosur përgjithmonë.
Raportet diplomatike mes Australisë dhe Izraelit janë përkeqësuar që kur Qeveria e Albaneses javën e kaluar njoftoi se do të njihte një shtet palestinez.
Edhe Franca, Britania dhe Kanadaja kanë paralajmëruar se do të njohin një shtet palestinez.
Ky vendim e nxiti Netanyahun që të sulmonte personalisht Albanesen dhe ai vazhdoi sulmet ndaj udhëheqësit australian gjatë një interviste për Sky News Australia.
“Mendoj se karriera e tij është njollosur përgjithmonë nga dobësia që tregoi përballë këtyre përbindëshave terroristë të Hamasit”, tha Netanyahu duke iu referuar grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Më herët gjatë javës, Netanyahu e cilësoi Albanesen “politikan të dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”.
Sky News Australia publikoi këto deklarata para transmetimit të plotë të intervistës me Netanyahun.
Një ditë më parë, Albanese minimizoi kritikat e Netanyahut, duke thënë se “nuk i marr këto gjëra personale” dhe duke shtuar se i trajton udhëheqësit e shteteve të tjera me respekt.
Javën e kaluar, Albanese tha se kryeministri izraelit “po mbyll sytë” para situatës humanitare në Gazë, ku Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për përhapjen e urisë dhe presioni ndërkombëtar është rritur ndaj Izraelit për të lejuar ndihmë të pakufizuar në territorin palestinez.
Më 20 gusht, drejtori i Këshillit Hebre të Australisë u dërgoi letra të ndara dy udhëheqësve dhe u bëri thirrje që të diskutonin për dallimet e tyre përmes diplomacisë e jo përmes deklaratave publike.
“Po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin tonë të thellë për ‘luftën e fjalëve’ të ditëve të fundit. Nëse ka gjëra që duhet të thuhen publikisht, ato duhet të shprehen me gjuhë të matur e të denjë për udhëheqës kombëtarë. Australia dhe Izraeli janë demokraci të pjekura dhe qeveritë e tyre duhet të veprojnë në përputhje me këtë”, u tha në letër.
Më herët gjatë javës, Izraeli ka revokuar vizat për diplomatët australianë në Autoritetin Palestinez, pasi Qeveria e Australisë anuloi vizën për një ligjvënës izraelit lidhur me deklaratat e tij që i konsideroi nxitëse dhe kundërthënëse.
Izraeli po përballet me presion ndërkombëtar lidhur me ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës, ku janë vrarë më shumë se 62.000 palestinezë dhe banorët po përballen me krizë të thellë humanitare.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.