Ndërlidhjet

Ndalohet një i dyshuar për spiunazh


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka arrestuar sot një person me inicialet H.S., shtetas i Kosovës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

Atij i është caktuar ndalimi prej 48 orësh.

Sipas Prokurorisë, aksioni për arrestimin e tij është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Po ashtu, thuhet se është kryer edhe bastisje në dy lokacione në Kosovë, ku janë sekuestruar prova materiale, përfshirë edhe disa telefona, që dyshohet se janë përdorur nga i dyshuari gjatë kryerjes së veprës penale.

Prokurori i shtetit ndaj të dyshuarit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, dhe ndaj të njëjtit do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.

Spiunazhi është veprimtari e fshehtë e mbledhjes, transferimit ose shpërndarjes së informacioneve të ndjeshme te një shtet, organizatë apo grup tjetër.

Me Kodin Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe dënohet me minimum pesë vjet burg, nëse konfirmohet fajësia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG