Ndërlidhjet

NATO: Hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur


Një aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Një aeroplan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Një zyrtar i NATO-s ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur.

“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.”

"Një mbyllje e tillë nuk do të kishte ndikim operacional. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin ditor të mandatit të saj sipas OKB-së”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.

Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkojë nga NATO-ja mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.

Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka vendosur më 27 shkurt disa sanksione ekonomike kundër Rusisë, duke përfshirë edhe mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.

Të mërkurën, më 2 mars, njëjtë kanë vendosur edhe Shtetet e Bashkuara.

Vendimin e njëjtë e kanë marrë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Mali i Zi ka nisur procedurën për marrjen e vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë, kurse kundër një vendimi të tillë janë Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG