Ndërlidhjet

Imer Mushkolaj: Qeveria e unitetit nuk është zgjidhja - partitë po luajnë me durimin e qytetarëve


Imer Mushkolaj
Imer Mushkolaj

Në kohën kur Kosova gjendet në një bllokadë institucionale dhe përballë një krize politike, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar një qeveri uniteti me një agjendë 15-pikëshe, që do t’i përfshinte të gjitha partitë parlamentare.

Por, analisti Imer Mushkolaj e konsideron këtë ide si një dalje taktike nga pozicioni i paqartë i LDK-së. Ai thotë se formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është i pamundur dhe i panevojshëm.

Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai komenton arsyet pse nuk sheh vullnet real për zgjidhje dhe kritikon qasjen e partive ndaj qytetarëve dhe institucioneve.

*Dëgjoni versionin audio të kësaj interviste

Mushkolaj: Një qeveri gjithëpërfshirëse është e panevojshme
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:09:00 0:00

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur sot një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t'i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare. Si e keni parë ju këtë propozim të Abdixhikut?

Imer Mushkolaj: Unë jam kundër qeverive gjithëpërfshirëse, për shkak se konsiderohet se është e shëndetshme që jo të gjitha partitë të jenë në një qeveri, qoftë ajo e quajtur kalimtare ose e unitetit.

E dyta, konsideroj se zoti Abdixhiku këtë propozimin e vet e ka bërë më shumë me qëllimin që ta ketë një alternativë, ose ta propozojë një alternativë, për shkak të qëndrimit jashtëzakonisht të çuditshëm të LDK-së karshi mundësisë për të bërë koalicion, qoftë me partinë që i ka fituar zgjedhjet - Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me opozitën dhe tash ka dalë me këtë propozim, që, për mua, është i çuditshëm.

Për shkak të qëndrimit të çuditshëm ka dalë me këtë propozim, duke pasur parasysh se LDK-ja në këtë rast është pro që në qeveri të jetë edhe PDK-ja, kushtimisht edhe Vetëvendosja, por është kundër që të bëjë koalicion të veçantë, qoftë me Vetëvendosjen, qoftë me PDK-në, ose partitë e tjera opozitare.

Më tepër është si njëfarë lloj strategjie dalëse prej qëndrimit të LDK-së, sesa përnjëmend një propozim i cili do të mund të mirëpritet nga partitë tjera në Kosovë. Parimisht, nuk ka gjë të keqe që të publikohen, të prezantohen, a të provohet, që të kalojnë ide të tilla.

Por, unë konsideroj se kjo nuk është e mundur. Një qeveri uniteti nuk është e mundur.

Dhe, nëse i lexojmë apo i shohim ato 15 propozime që i ka dhënë LDK-ja, shumicën prej tyre zoti Abdixhiku dhe LDK-ja, do të mund t’i realizonte po të bëhej pjesë e cilësdo qeveri, apo cilitdo koalicion të mundshëm, gjithnjë duke pasur parasysh se në koalicione ose në një koalicionin eventual, LDK-ja, do të merrte pjesën e vet të përgjegjësisë në fusha të caktuara, qoftë ekonomike, qoftë të sigurisë, në mënyrë që t’i realizojë disa nga këto propozime.

Por, duket se LDK-ja, përkatësisht zoti Abdixhiku, nuk ka vullnet që të bëhet pjesë e koalicioneve qeveritare as me pushtetin në detyrë tash, e as me opozitën parlamentare, por paska vullnet që të bëhet pjesë e një qeverie të ashtuquajtur të unitetit, në të cilën bëjnë pjesë edhe pushteti i sotshëm, por edhe opozita aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, është e vështirë të formohet tash për tash një qeveri e unitetit?

Imer Mushkolaj: Unë mendoj se, jo sepse është vështirë, por është e pamundur për shkak se nuk ka nevojë të bëhet një gjë e tillë, pavarësisht sfidave të cilat i ka renditur zoti Abdixhiku, përkatësisht LDK-ja, në propozimin e tyre.

Mendoj që këto sfida janë të kalueshme, vetëm se duhet vullnet nga ana e partive politike. Zoti Abdixhiku e ka pasur një ftesë nga VV-ja, nga zoti Kurti që të bëhet pjesë e koalicionit me këtë parti, por e ka refuzuar dhe në anën tjetër ka refuzuar që të jetë pjesë e një qeverie të mundshme, një koalicioni të mundshëm me partitë opozitare.

Nuk kam parë vullnet politik as nga PDK-ja, as nga LDK-ja, nga asnjë parti që të jetësojë një propozim të tillë, pavarësisht se mund të tingëllojë si propozim i mirë edhe në terma praktikë, mbase ndonjëra prej pikave dhe mund të jetë e realizueshme.

Radio Evropa e Lirë: Abdixhiku ka përmendur në këtë 15 pikësh dhe reformat kushtetuese, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rritjen e pagave si dhe zgjidhjen e krizës së energjetike. Vetëm një qeveri e unitetit mund t’i bëjë këto ndryshime?

Imer Mushkolaj: Nuk mund t’i bëjë vetëm një qeveri e unitet, këto mund t’i bëjnë një koalicion qeveritar, i cili thjesht i vendos disa prioritete që gjithë qytetarët e Kosovës tashmë i dinë se cilat janë. Pra, prioritet për zgjidhjen e problemeve që janë shfaqur gjatë viteve të fundit dhe jo domosdoshmërisht, absolutisht jo duke krijuar një qeveri të unitetit për këtë çështje.

Do të thotë çështja e pagave, çështja e energjetikës, e ku e di unë... natyrisht se mund të zgjidhet nga një koalicion qeveritar, pra qeveri e unitetit.

Letra e tretë: Kurti e fton LDK-në në bashkëqeverisje
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:30 0:00

Sa u përket çështjeve pastaj që e prekin Kushtetutën, duhet pasur parasysh se ato çështje nuk është se janë lehtë të realizueshme, lehtë të zgjidhshme, pasi që për to duhet të votojë edhe pakica serbe. Përkatësisht, sistemi i komplikuar që ekziston për ndërrimin e Kushtetutës sonë në njëfarë forme, e bën edhe ashtu domosdoshme njëfarë lloj dialogu paraprak mes partive politike, gjithmonë kur vjen koha për ndërrimin e Kushtetutës.

Zoti Abdixhiku, në propozimin e vet, i ka përfshirë çështjet që thjesht i zgjidh një koalicion qeveritar i përgjegjshëm.

Pa qeveri uniteti ka edhe çështje të tjera të cilat kanë nevojë për një dialog paraprak për të zgjedhur, çfarë është kjo me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, kur flasim për mundësinë që të eliminohet ku di unë bllokada aktuale e krijimit të institucioneve ose çështje të tjera.

Radio Evropa e Lire: Zoti Mushkolaj, Abdixhiku tha se një propozim ose një paralajmërim i tillë vjen në një kohë kur vendi është zhytur në një krizë politike. Sa e thellë është kjo krizë?

Imer Mushkolaj: Vendi është zhytur në një krizë politike...sa ka deputetë në Parlament, ka edhe LDK-ja, që kanë përgjegjësinë edhe partitë tjera, varësisht prej numrit të deputetëve në Parlament kush më shumë, e kush më pak.

Fatkeqësia është se subjektet politike, partitë, liderët e këtyre partive politike, nuk janë të interesuar të gjejnë zgjidhje brenda Parlamentit dhe pastaj dalin me plot ide edhe plot propozime, të cilat, prapë po them, mund të tingëllojnë mirë, por që në realitet nuk ka vullnet për tu realizuar, sepse thjesht janë të pa realizueshme.

Situata të tilla në të cilat gjendet Kosova tash në mungesë të krijimit të institucioneve, për fat të keq, kemi pasur edhe më përpara, kriza madje që kanë zgjatur edhe më shumë se kaq.

Kjo nuk do të thotë se krizat e tilla, si kjo tash, duhet amnistuar, ose duhet zvarritur zgjidhjen e tyre, duke e marrë si shembull të kaluarën, por unë besoj shumë që zgjidhja mund të gjendet brenda institucioneve të Kosovës, brenda Kuvendit të Kosovës.

Është çështje tjetër që partitë politike, të gjitha pa përjashtim, po luajnë me durimin e qytetarëve, po luajnë me durimin edhe të votuesve të tyre. Dhe, thjesht, nuk po duan që t’i krijojnë institucionet.

Përndryshe, numrat janë brenda Kuvendit të Kosovës Është totalisht e papërgjegjshme që, në mungesë të vullnetit të tyre për të gjetur një zgjidhje, e cila mund të gjendet, ata shkojnë deri tek deklarimet se kanë të bëjnë me mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Radio Evropa e Lirë: A më afër jemi të gjetja e një zgjidhjeje për formimin e institucioneve, ndonjë koalicioni, apo më afër një procesi të ri të jashtëzakonshëm zgjedhor?

Imer Mushkolaj: Unë besoj që më afër jemi drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve, gjithnjë duke pasur parasysh se njerëzit, qytetarët e Kosovës, kanë votuar tash në shkurt dhe s'kanë nevojë të dalin edhe njëherë të votojnë vetëm për tekat e këtyre politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët i kanë marrë votat qytetarëve për të bërë zgjidhje, ndërkohë që po e bllokojnë procesin me qëllim. Ky është bllokimi i procesit me qëllim.

Unë pres që të ketë zgjidhje brenda përbërjes së tanishme të Kuvendit, qoftë për votimin e kryetarit ose kryetares së Kuvendit, qoftë për themelimin pastaj të institucioneve, të qeverisë, në fakt.

Është çështje tjetër se sa stabile dhe sa jetëgjatë mund të jenë këto institucione, që themelohen për shkak se kjo varet edhe prej kombinimeve të mundshme të atyre që do ta përbëjnë koalicionin qeveritar.

Por, zgjidhja ekziston, është në duart e deputetëve dhe partive politike. Vetëm duhet pak më shumë vullnet, edhe pak më pak animozitetet dhe mosdurueshmëri mes partive politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG