Ndërlidhjet

Milionat mbeten pa u shfrytëzuar, por buxhetet komunale rriten


Komunat mbajnë para, qytetarët pa infrastrukturë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:43 0:00

Trotuaret e bllokuara, mbeturinat dhe mungesa e hapësirave publike e bëjnë jetën e përditshme në Fushë Kosovë një sfidë të përditshme për qytetarët.

“Lirshëm mund të ecësh vetëm nëpër hekurudhë, kur nuk kalon treni, sepse tjetërkund nuk ka hapësirë për këmbësorë”, thotë Rafet Berisha, banor i kësaj komune në pjesën qendrore të Kosovës.

Rafet Berisha duke hedhur mbeturina në kontejnerët e stërmbushur në Fushë Kosovë.
Rafet Berisha duke hedhur mbeturina në kontejnerët e stërmbushur në Fushë Kosovë.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se trotuaret janë të bllokuara nga makinat, ndërsa grumbuj mbeturinash shihen pothuajse në çdo lagje.

Të njëjtin shqetësim e ndan edhe Sara, nënë e trinjakëve në klasë të tetë. Ajo thotë se çdo ditë i shoqëron fëmijët e saj për në shkollë dhe mbrapsht, sepse nuk ndihet e sigurt t’i lërë vetëm.

“Ne ecim anës rrugës kryesore, sepse trotuaret janë të zëna. Kjo është rrezik për fëmijët. E, përveç makinave, ka edhe shumë qen endacakë”, thotë ajo, teksa pret fëmijët para Shkollës Fillore “Mihail Grameno”.

Sara, nënë e trinjakëve në klasë të tetë
Sara, nënë e trinjakëve në klasë të tetë

Për hapësira rekreative në Fushë Kosovë, banorët thonë se as nuk bëhet fjalë.

“Këtu nuk ke park, as lodra për fëmijë”, thotë Zeqir Kryeziu.

“Këtu i blen gjërat e nevojshme dhe kthehesh në banesë, nëse nuk do që të hysh në ndonjë restorant”, shprehet ai.

Zeqir Kryeziu
Zeqir Kryeziu

Me mbi 64 mijë banorë, Fushë Kosova është komuna e nëntë më e populluar në Kosovë.

Por, edhe pse nevojat për infrastrukturë janë të dukshme, vitin e kaluar ajo e përfundoi me suficit buxhetor - njësoj si vitin paraprak.

Për vitin 2024, komuna kishte në dispozicion mbi 16 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe mbi 6.3 milionë euro të bartura nga viti paraprak.

Nga rreth 23 milionë euro gjithsej, u shpenzuan 88 për qind, ndërsa të pashpenzuar mbetën afro 2.8 milionë.

Trotuare të bllokuara në Fushë Kosovë.
Trotuare të bllokuara në Fushë Kosovë.

Pse vazhdimisht teprojnë mjete?

Nënkryetari i komunës, Besnik Osmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se projektet ekzistojnë, por zbatimi i tyre vonohet për një sërë arsyesh - nga kushtet atmosferike dhe çështjet pronësore, deri te koordinimi me institucionet e tjera.

“Ne kemi lëndë që presin tetë ose nëntë muaj për përgjigje, dhe kjo nënkupton se mbeten vetëm tre muaj për zbatim të projektit”, shpjegon ai.

Nënkryetari i Fushë Kosovës, Besnik Osmani.
Nënkryetari i Fushë Kosovës, Besnik Osmani.

Osmani pranon se përqindja e shpenzimeve “nuk është e shkëlqyer”, por thotë se “është e qëndrueshme”.

Në mesin e projekteve të realizuara vitin e kaluar, ai përmend ndërtimin e dy shkollave fillore dhe disa rrugëve, ndërsa shton se për shqetësimet e tjera të qytetarëve “po punohet”.

Pesëdhjetë e tetë milionë euro tepricë

Fushë Kosova, megjithatë, nuk është e vetmja komunë që vitin e kaluar e mbylli me suficit buxhetor, pavarësisht nevojave të qytetarëve për shërbime më të mira publike.

Në nivel vendi, komunat shpenzuan mesatarisht 93 për qind të buxhetit, ndërsa rreth 58 milionë euro mbetën të pashfrytëzuara, thotë Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara - GAP, që ka analizuar menaxhimin e financave komunale.

Përveç arsyeve të përmendura nga Osmani, Hasaj thekson se komunat përballen edhe me mungesë stafi në zyrat e prokurimit dhe monitorimit të projekteve kapitale, si dhe me vonesa nga operatorët privatë që nuk i përfundojnë punimet në kohë.

Këto pengesa ngadalësojnë, pastaj, zbatimin e investimeve në rrugë, çerdhe, ujësjellës dhe hapësira publike, ndërsa koston e tyre e paguajnë qytetarët.

“Paramendoni se sa investimet do të mund të bëheshin me këto mjete [të pashfrytëzuara], të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, thotë Hasaj për Radion Evropa e Lirë.

Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP.
Blendi Hasaj, drejtor i Institutit GAP.

Rritja e popullsisë rrit edhe buxhetin në komuna

Me gjithë tepricat, disa komuna pritet të përfitojnë vitin e ardhshëm edhe rritje të konsiderueshme të buxhetit - disa deri në 60% krahasuar me vitin aktual.

Megjithatë, kjo rritje lidhet me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Parashikimet janë pjesë e Qarkores buxhetore 2026/02 për Komuna, e përgatitur nga Ministria e Financave si udhëzues për hartimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.

Sipas këtij dokumenti, buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 pritet të arrijë në rreth 3.5 miliardë euro, ndërsa buxheti i dedikuar për komunat do të jetë 867 milionë euro.

Një nga kriteret kryesore për shpërndarjen e këtyre mjeteve dhe granteve qeveritare nëpër komuna është numri i banorëve.

Si e ndryshoi regjistrimi i popullsisë buxhetin?

Sipas rezultateve të ASK-së, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është 1.585.590 nga 1.739.825 sa ishte në vitin 2011, kur u realizua regjistrimi paraprak.

Edhe pse popullsia totale ra, disa komuna shënuan rritje të numrit të banorëve.

Prishtina dhe Fushë Kosova është shembulli më i qartë.

Kryeqyteti shënoi rritje nga 198.897 banorë në vitin 2011 në 227.466 në regjistrimin e fundit - rreth 28.569 më shumë.

Kjo u reflektua edhe në buxhet, i cili do të rritet nga mbi 128 milionë euro këtë vit në 151 milionë euro vitin e ardhshëm - një rritje kjo prej rreth 23%.

Rritjen më të madhe buxhetore do ta ketë Fushë Kosova, ku popullsia u rrit për dhjetëra mijëra banorë, por edhe Shtërpca.

Nënkryetari i Fushë Kosovës, Besnik Osmani, thotë se mungesa e regjistrimit të popullsisë dhe rritja e saj gjatë një dekade i kanë kushtuar komunës dhjetëra miliona euro humbje.

“Nga viti i ardhshëm do të kemi gati dyfishim të buxhetit, që do të thotë se, mesatarisht, gjatë dhjetë vjetëve të fundit, komuna e Fushë Kosovës ka humbur 53 deri në 54 milionë euro”, thotë ai.

Megjithëse në disa komuna u shënua rënie e numrit të banorëve, Qarkorja buxhetore nuk parashikon ulje të buxhetit krahasuar me vitin 2025.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e konfirmoi në një postim në Facebook rritjen e buxhetit të Prishtinës në 151 milionë euro.

Ai e përshkroi këtë ndryshim si “kapërcim enorm” krahasuar me vitin 2021, kur kryeqytetit i ishin ndarë rreth 87 milionë euro buxhet, por pranoi se për vitin 2026 “është marrë për bazë regjistrimi i fundit i popullsisë”.

Postimet e tij nuk kaluan pa reagime - qoftë për ta përgëzuar, ose kritikuar.

Njëri prej komentuesve, Andi Bytyqi, shkroi se “buxheti i qytetarëve përdoret si instrument fushate” dhe jo si “mjet për përmirësimin e jetës së përditshme të tyre”.

“Çka nëse nuk fiton kandidati i preferuar i juaj? Atëherë nuk do të ndahet buxheti i lartpërmendur?”, pyeti ai, por në postimin e tij nuk pati përgjigje.

Kosova është në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, kur në garë do të jenë të 38 komunat e vendit.

Nga anketat që ka zhvilluar REL-i gjatë vitit, ankesat kryesore të qytetarëve lidhen me çmimet e larta të produkteve të konsumit, por edhe me çështje të tjera - nga mungesa e çerdheve deri te mbingarkesa e trotuareve.

Se si do të reflektohet rritja buxhetore në standardin e jetesës dhe cilësinë e shërbimeve për ta, mbetet për t’u parë, por përvoja tregon se përmirësimet vijnë ngadalë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG