Krasniqi: Ne votojmë vetëm një kandidat të LVV-së që s’ka qenë pjesë e Qeverisë
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij vazhdon me qëndrimin se voton një kandidat nga LVV-ja për kryeparlamentar që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
Pas seancës, ai tha se sot Kuvendi u rikthye në pikën “që u largua në mënyrë arbitrate” nga LVV-ja, duke iu referuar ndryshimit të mënyrës së votimit nga kryesuesi i seancës.
“Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke shtuar se nuk ka votë për Albulena Haxhiun dhe për dikë që ka qenë ministër.
Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla - që sot nuk morën vota për kryeparlamentare - janë ministre në Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Bajrami: LVV-ja e ka ditur që as Gërvalla nuk i merr votat e nevojshme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është fare e interesuar që të zgjidhet situata në Kuvendin e Kosovës.
Ajo theksoi se edhe propozimi i Donika Gërvallës ishte vetëm një veprim për të prolonguar konstituimin e Kuvendit.
“LVV-ja sot propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.
Kadrijaj: Edhe në seancat e tjera LVV-ja do të propozojë kandidatë që nuk kanë vota
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e akuzoi LVV-në se me qëllim sot propozoi kandidate që nuk e kanë mbështetjen e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
“Do të shihni, edhe në seancat në vijim do të propozohen figura të tilla që nuk kanë përkrahje”, tha ajo.
Kadrijaj tha se seanca e sotme është dashur të nisë me një “kërkimfalje” nga Dehari dhe LVV-ja, pasi siç tha, “e kanë shkelur Kushtetutën.
Ajo tha se partitë që ishin në opozitë kanë ofruar alternativa për daljen nga ngërçi politik, por LVV-ja nuk i ka pranuar këto opsione.
"Po shihet që LVV-ja nuk është e interesuar për zhbllokim të situatës" tha ajo, duke iu referuar propozimit për kryeparlamentare të Albulena Haxhiut dhe Donika Gërvallës.
Murati: LVV-ja ofroi kandidat tjetër, PDK, LDK e AAK kanë për qëllim bllokimin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, drejtoi akuza ndaj PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe partive të tjera për bashkim në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
Ai tha se këto parti janë bërë bashkë për të penguar formimin e institucioneve dhe si dëshmi për këtë, sipas tij, është mosvotimi i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit.
“Ne kemi besuar se nëse bëjmë hapin e parë të kompromisit, sot do të ketë reflektim nga opozita”, u shpreh Murati.
“Ne ofruam dikë tjetër dhe u dëshmua që ata funksionojnë bashkë me Listën Serbe”, shtoi ai.
Murati, i cili kritikoi edhe Gjykatën Kushtetuese, tha se opozita është e interesuar të bllokojë procesin, pavarësisht emrit të kandidatit.
“Ata janë të interesuar të bllokojnë, pavarësisht emrit”, tha Murati.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, e quajti të çuditshëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se, po të ishte mundësuar votimi i fshehtë, njëra nga kandidatet, Albulena Haxhiu apo Donika Gërvalla, do të ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit.
Murati, tha se partia e tij do të konsultohet me strukturat në ditët në vijim për të vendosur se si do të veprohet tutje.
Ai shtoi se emri i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit ka dalë nga konsultimet brenda partisë.