Musliu: LDK-ja po frikësohet të marrë vendime
Ganimete Musliu, nga Partia Demokratike e Kosovës, e quajti “adoleshencë politike” propozimin e djeshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të formohet një qeveri tranzicioni me të gjitha partitë politike shqiptare.
Ajo tha se LDK-ja po frikësohet të marrë vendime - qoftë për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me partitë që deri më tani kishin qenë në opozitë - dhe se kështu “e ka lënë Kosovën prapa”.
“Kjo është hajgare me votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Musliu.
Ajo tha se ky është qëndrimi i saj personal dhe se PDK-ja do të japë qëndrimin e partisë vetëm pasi të mbahet një mbledhje e kryesisë së partisë sot në orën 15:00.
Sveçla: Jemi kundër qeverisë tranzitore
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, tha se partia e tij është kundër një qeveri tranzitore.
I pyetur nga gazetarët teksa po hynte në ndërtesën e Kuvendit për seancën konstituive nëse Vetëvendosje është për një qeveri tranzitore, Sveçla u përgjigj shkurt: "Absolutisht jo".
Sa për t'jua kujtuar, qeveri tranzitore deri në prill të vitit 2026 propozoi një ditë më parë lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pse ka ngecur formimi i institucioneve edhe tre muaj pas zgjedhjeve?
Janë bërë pothuajse tre muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e reja.
Asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme ta formuar qeverinë e re e vetme.
Procesi ka ngecur në konstituimin e Kuvendit, më saktësisht emërimin e kryetarit të Kuvendit. Seanca konstituive nisi më 15 prill dhe prej atëherë ka vazhduar 11 herë çdo të dytën ditë pas ndërprerjes.
Vetëvendosje ka dështuar në disa raste ta emërojë Albulena Haxhiun si kryeparlamentare, pasi ajo ka marrë më së shumti 57 vota, 4 më pak se minimumi i nevojshëm për t’u zgjedhur.
Së voni, kryesuesi i seancës konstituive që vjen nga Vetëvendosje, ka kërkuar votim të fshehtë, por edhe ky propozim ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme.
Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore dhe nuk do të propozojë kandidat tjetër, pavarësisht thirrjeve nga partitë e tjera për një kandidat “më unifikues”.
Ende asnjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit
Derisa deputetët po mblidhen për t’i vazhduar përpjekjet për konstituimin e Kuvendit, nuk ka asnjë sinjal se ata do t’ia dalin kësaj radhe.
Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse në zgjedhje, e ka hedhur poshtë ofertën e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) për koalicion qeverisës.
Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.
Pjesëtarë të LVV-së nuk e kanë mirëpritur këtë.