Ndërlidhjet

Krimet e njësive çetnike të Pavlle Gjurishiqit në veri të Malit të Zi


Pavlle Gjurishiq
Pavlle Gjurishiq

Halla ime, Shaqira, ende pa i mbushur dy vjet, vdiq nga të ftohtit, teksa prindërit e mbanin në krahë, duke ikur nga njësia çetnike e Pavlle Gjurishiqit, thotë Kemal Zoronjiq për krimin e kryer në fillim të janarit 1943, në veri të Malit të Zi.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, ato ditë, njësitë e Gjurishiqit dhe Rade Kordës në fshatin e tij Bistricë, pranë Bijello Poles, vranë mbi 230 boshnjakë - mes tyre edhe 18 të afërm të tij. Nga ta, gjashtë ishin fëmijë dhe pesë gra.

Kemali i përshkroi dhe dokumentoi këto ngjarje, përmes shumë dëshmive, në librin e tij “Të qëndrueshëm në kohë” (Istrajni kroz vrijeme), të botuar në vitin 2022.

Aty shkruan se njësitë çetnike të Gjurishiqit plaçkitën dhe dogjën të gjitha fshatrat dhe familjet myslimane në Donji Bihor.

Të gjitha ndërtesat fetare islame në atë zonë u dogjën gjithashtu, përfshirë Xhaminë e Hasan Begut në Bistricë, e ndërtuar në fund të shekullit të 17-të.

Vetëm 40 kilometra nga Bistrica, në fshatin Gornje Zaostro të Beranes, sot ndodhet një përmendore me përmasa reale e Pavlle Gjurishiqit.

Monumenti i Gjurishiqit në kishën e KOS-it

Pavarësisht dokumenteve të shumta për krimet dhe bashkëpunimin e tij me nazistët e Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmendorja prej bronzi e Gjurishiqit u ngrit më 8 gusht të këtij viti në Gornje Zaostro.

Ligji për përmendoret në Mali të Zi, i vitit 2008, përcakton në nenin 10 se “nuk lejohet të ngrihet një memorial për një person që përfaqësonte ide ose ideologji fashiste, shoviniste ose naziste”, as për një person që “ishte bashkëpunëtor me pushtuesit”.

Edhe pse autoritetet urdhëruan largimin e përmendores, ajo u zhvendos në kishë.

Përmendorja e Pavlle Gjurishiqit në Gornje Zaostro të Beranes. Gusht, 2025.
Përmendorja e Pavlle Gjurishiqit në Gornje Zaostro të Beranes. Gusht, 2025.

Një muaj pas krimeve në Bihor, Gjurishiq kreu krime edhe më të mëdha në Plevle, Çajniçe, Foçë dhe Priboj.

Duke i raportuar komandës për aksionin e gjerë të “spastrimit të myslimanëve”, ai tha se “aksioni ishte i suksesshëm, me rreth 8.000 viktima, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë”.

Për krimet e tij, ai u dekorua me Kryqin e Hekurt të Hitlerit, thuhet në gazetën Llovqen, në botimin e tetorit 1944.

Sot, personalitete kishtare të Kishës Ortodokse Serbe (KOS) në Mal të Zi e përshkruajnë atë si hero.

Për Mitropolitin Joanikije, Gjurishiq është “një hero me karakter të pamposhtur”.

Më 8 gusht, Mitropoliti Metodije tha se “më e rëndësishmja është që të jemi të ngjashëm me të”.

Korniza ideologjike e fushatës

Masakra e boshnjakëve në Donji Bihor në janar të vitit 1943, nën komandën e Gjurishiqit, ishte pjesë e një plani më të gjerë “për të pastruar” territoret nga pakicat kombëtare dhe për të fshirë kufirin midis Serbisë dhe Malit të Zi, “duke pastruar popullsinë myslimane”, sipas urdhrave të udhëheqësit çetnik, Drazha Mihajlloviq.

Disa ditë pas masakrës, më 10 janar, Gjurishiq i raportoi Mihajlloviqit se 33 fshatra myslimane ishin djegur në Bihor dhe se mbi 1.400 njerëz ishin vrarë - nga të cilët 400 ishin luftëtarë dhe rreth 1.000 ishin gra dhe fëmijë.

Megjithatë, Zoronjiq pohon në librin e tij se ky numër ishte dukshëm më i lartë - mbi 60 fshatra ishin shkatërruar në Donji Bihor, ku ishin djegur 1.763 shtëpi myslimane, sipas tij.

Numri i viktimave boshnjake ishte 3.741 (2,806 të vrarë dhe 935 që vdiqën më vonë), sipas të dhënave që dr. Millutin Zhivkoviq i përmendi në disertacionin e tij doktoral Sanxhaku1941-43.

Njësitë e Pavlle Gjurishiqit
Njësitë e Pavlle Gjurishiqit

Nga libri “Në guerilë” i Sava Joksimoviqit

Zoronjiq, në librin e tij “Të qëndrueshëm në kohë”, mblodhi dhjetëra dëshmi rreth krimeve çetnike të kryera kundër popullsisë boshnjake në janar të vitit 1943.

Në librin e tij “Në guerilë”, heroi kombëtar, Sava Joksimoviq, e përshkruan këtë krim si më poshtë:

“Në fshatin e vogël Visoçka, në shtëpinë e Lata Buçanit, 12 gra dhe fëmijë kërkuan strehim. Emina, 20 vjeçe, e cila rezistoi me armë, u vra pasi mbeti pa fishekë. Ajo u hodh në shtëpinë e djegur së bashku me babanë, nënën, vëllain dhe fëmijët e të afërmve”.

Në shtëpi të tjera u dogjën familje të tëra - Buçanët, Sharonjiqët, Dervoviqët.

Në shtëpinë e Novçiqëve u vranë dhe u dogjën 16 persona, sipas Joksimoviqit.

Mila ua ndërroi rrobat grave dhe fëmijëve dhe i shpëtoi nga çetnikët

Më 6 janar të vitit 1943, në shpëtimin e familjes së tij, Kemal Zoronjiq thotë se një rol të madh luajti edhe Mila Terziq, kushërira e gjyshit të tij, Ademit.

“Që të kalonin pa u vënë re nga çetnikët, halla e ndjerë, Mila, e veshi gjyshen time dhe fëmijët e saj me kostume ortodokse, i ushqeu dhe më pas i dërgoi në një rrugë të sigurt, përtej kodrës Vllah, drejt Bijello Poles”, thotë ai.

“Ajo dhe shumë të tjerë si ajo, që shpëtuan njerëz, kanë mbetur thellësisht të ngulitur në kujtesën tonë dhe sot i kujtojmë me respekt”, shton ai.

Në libër, Kemali përmend edhe emrat e fqinjëve ortodoksë, të cilët, në ato momente të vështira, treguan fisnikërinë dhe guximin e tyre, duke shpëtuar fqinj, miq dhe kumbarë nga krimet çetnike.

Dellva mbijetoi dhe dëshmoi

Shkrimtari Bajram Shabanoviq, i lindur në fshatin Stubo të Bistricës, tregon se në oborrin e Aziz Shabanoviqit u gjetën 20 trupa të dëmtuar.

“Vajza e tij, Dellva, e martuar Babaçiq, ishte rastësisht me fëmijët e saj në shtëpinë e babait si mysafire. Çetnikët, fillimisht, tentuan ta përdhunonin. Ajo u mbrojt me duar dhe pastaj ia prenë fytin me thikë. Ajo ra në tokë e pavetëdijshme. Çetnikët menduan se kishte vdekur dhe u larguan. Ajo mbijetoi me plagë dhe më vonë rrëfeu për këtë masakër”, sipas Shabanoviqit.

“Në Stubo, çetnikët i lidhën me tel Rahmanin dhe Rashidin, fëmijët e Muharrem dhe Zahida Shabanoviqit. Ata ua vunë flakën fëmijëve të lidhur... Ndërsa po digjeshin, çetnikët përdhunuan (vajzën) Zllatën, por ajo mbeti gjallë dhe më vonë dëshmoi për ngjarjen”, shkruan në librin e Kemal Zoronjiqit.

“Familja e Hamo Hadroviqit u zhduk në fshatin Vërh. Gruaja e tij, Çeba, e njohur për bukurinë e saj, arriti të shpëtonte vetëm djalin e madh, Lutvin, ndërsa fëmijët e tjerë çetnikët i rrahën me shufra, i mbuluan me borë dhe vallëzuan mbi ta. Pas luftës, Hamo u përpoq t’i ndiqte penalisht kriminelët, por procesi u ndërpre. Kërcënimet e detyruan që të zhvendosej me djalin në Maqedoni”.

Në libër përmenden edhe citate nga gjyqi ndaj udhëheqësve të organizatës së Drazha Mihajlloviqit në Beograd, më 1945, përfshirë dëshminë e Millutin Shqekiqit nga Berania, për aksionin në Sanxhak (rrethi i Bjello Poles), ku, sipas tij, humbën jetën 2.700 persona.

Shumë nga të vrarët nuk kanë varre, sepse çetnikët i dogjën në shtëpi, ndërsa ata që vdiqën nga uria dhe të ftohtit duke ikur drejt Petnjicës, Rozhajës dhe Pejës, u varrosën pranë rrugëve.

Shtëpitë e djegura në fshatin Bihor nga njësitë çetnike të Pavlle Gjurishiqit. Janar, 1943.
Shtëpitë e djegura në fshatin Bihor nga njësitë çetnike të Pavlle Gjurishiqit. Janar, 1943.

“Si mund të jetë hero”

Zoronjiq pyet përse njerëzit nuk vetëdijesohen se lufta nuk i sjell të mira askujt dhe thekson se, si në të kaluarën, ashtu edhe në të ardhmen, “ne jemi të detyruar të jetojmë së bashku, duke e pranuar dhe vlerësuar diversitetin si një pasuri”.

Duke folur për faktin se një nga personat, për krimet e të cilit ka shkruar, ka tani një përmendore, Zoronjiq thotë se kjo i shkakton zemërim dhe trishtim.

“... por edhe dëshirë për t’i pyetur se si mund të lavdërojnë dhe të konsiderojnë hero dikë që është vërtetuar si vrasës i mijëra fëmijëve, grave dhe të moshuarve të pafajshëm. Si mund ta paraqesin si antifashist dikë që nga Hitleri ka marrë Kryqin e Hekurt, simbolin më të madh të nazizmit dhe fashizmit?”, thotë Zoronjiq.

Ndryshe nga Gjurishiqi, viktimat civile të luftës nga Bistrica - rreth 500 persona, myslimanë dhe ortodoksë - nuk kanë ende ndonjë përmendore.

“Justifikimi ishte se, për të zhvilluar ‘vëllazërinë dhe unitetin’ pas luftës, viktimat nga të ashtuquajturat konflikte vëllavrasëse nuk duheshin nxjerrë në pah. Besohej se çështjet e dhimbshme do të harroheshin me kalimin e kohës dhe heshtja për krimin do të çonte në harresë”, thotë Zoronjiq.

Ndaj, thekson ai, në rastin aktual, institucioneve shtetërore duhet t’u kërkohet “të tregojnë forcë e autoritet dhe të fillojnë ta bëjnë punën e tyre”.

Përgatiti: Valona Tela

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG