Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje të premten bashkësisë ndërkombëtare ta shtojë trysninë ndaj Beogradit, pas plagosjes dhe rrëmbimit të dyshuar të një serbi të Kosovës nga Xhandarmeria e Serbisë në tokën kosovare javën e kaluar.
Sveçla e vizitoi vendin ku dyshohet se u rrëmbye Millan Vukashinoviqi nga Leposaviqi pranë kufirit me Serbinë.
Dyshohet se Vukashinoviq u plagos dhe më pas u rrëmbye më 1 nëntor në fshatin Jellakcë afër Leposaviqit, para se të dërgohej më pas në spitalin e Prokuples, e më vonë në Qendrën Klinike të Nishit.
“Sot e inspektova pjesën e kufirit shtetëror ku dyshohet se u kidnapua shtetasi ynë”, shkroi Sveçla në Facebook në një shkrim të cilit i bashkëngjiti edhe fotografi.
Ai shtoi se, në bazë të të dhënave dhe dëshmive “të siguruara nga autoritetet tona, tashmë është e ditur se duke u shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, z. Vukashinoviq është rrëmbyer nga strukturat e Serbisë si kundërshtar i Listës Serbe”.
Serbia nuk ka folur fare për këtë rast as pas një jave.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur për incidentin Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Serbisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Një ditë më parë, avokati Ivan Niniq tha se ushtroi padi në emër të Dragana Vukashinoviqit, nënës së Vukashinoviqit, në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple të Serbisë për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.
Ai tha se, meqë shteti serb ka heshtur deri tani, ai ushtroi padi kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan më 2023.
Në kallëzimin penal, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, thuhet se Vukashinoviq kishte një histori të gjatë konfliktesh personale me Millan Radoiçiqin, si dhe se “ka arsye të justifikueshme për të besuar se i dëmtuari është rrëmbyer dhe rrezikohet t’i merret jeta në rrethana të paqarta”.
Sveçla theksoi të premten se Serbia “po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”.
“Apeloj tek bashkësia ndërkombëtare që ta shtojë presionin dhe ndërmarrë masa ndaj shtetit serb, në mënyrë që të ndëshkojë këtë sjellje destabilizuese, por edhe të parandalojë situata të tjera të cilat do të ngrinin tensione në rajon”, shtoi ai.
Policia e Kosovës tha dy ditë pas incidentit se kishte marrë në pyetje dëshmitarë okularë, të cilët kishin dhënë informacione se “persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Kosovës, kishin plagosur dhe rrëmbyer viktimën, dhe më pas e kishin dërguar në territorin e Serbisë”.
Vukashinoviq ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Radio Evropa e Lirë, duke përdorur mjete forenzike për identifikimin e fytyrës, ka vërtetuar se Vukashinoviq është i njëjti person që më 28 qershor të këtij viti kishte folur publikisht për presionet që kishte pasur, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV nga Serbia.
Gjatë asaj interviste, ai kishte deklaruar se serbët ishin detyruar të largoheshin nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 nën presionin e Listës Serbe, dhe se edhe ai vetë kishte qenë viktimë e presioneve, duke shtuar se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi sepse kishte refuzuar të jepte dorëheqje.
“Kanë shpifur për shumë gjëra, më kanë lidhur me shqiptarët, nuk jam i sigurt të udhëtoj në Serbi. Jam këtu në Kosovë, e anashkaloj Serbinë”, kishte thënë ai.