Ndërlidhjet

Kosova merr nën kontroll objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë ku vepronte Posta e Serbisë


Logoja e Postës së Serbisë në ndërtesën e marrë në kontroll nga Kosova në Graçanicë. Fotografi nga arkivi.
Logoja e Postës së Serbisë në ndërtesën e marrë në kontroll nga Kosova në Graçanicë. Fotografi nga arkivi.

Shkurtimisht

  • Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e objekteve në Graçanicë dhe Shtërpcë, të cilat më parë përdoreshin nga Posta e Serbisë.
  • Objekti në Graçanicë u mbyll në fillim të vitit si pjesë e një aksioni për shuarjen e institucioneve serbe paralele në jug të Ibrit.
  • Drejtori i Postës së Serbisë e ka cilësuar marrjen e objektit në Graçanicë si uzurpim dhe ka premtuar veprime ligjore.

Posta e Kosovës ka marrë kontrollin e objekteve në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku ndodhej Posta e Serbisë.

Posta e Kosovës njoftoi mbrëmjen e 11 shtatorit se pas finalizimit të procedurave ligjore, këto prona, që tha se ishin shfrytëzuar nga një operator ilegal, tani janë regjistruar si pronë e ligjshme e Postës së Kosovës.

"Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve postare e financiare cilësore, të sigurta dhe transparente në gjithë territorin e vendit".

Në objektin në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës, deri më 15 janar të këtij viti ndodhej Posta e Serbisë.

Ky objekt u mbyll në kuadër të një aksioni të gjerë për shuarjen e institucioneve në jug të Ibrit, që funksiononin sipas sistemit të Serbisë.

Kosova i konsideron institucionet serbe paralele dhe ilegale, ndërsa mbyllja e tyre nisi në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave të komunitetit ndërkombëtar se së pari duhej gjetur një zgjidhje alternative për ofrimin e shërbimeve për qytetarët, të cilët kryesisht janë nga komuniteti serb.

Serbët e Kosovës marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, disa prej të cilave u janë paguar pikërisht në sportelet e Postës së Serbisë, si shtesat për fëmijë apo për nënat, pensionet, ndihmat sociale e të tjera.

Posta e Kosovës tha se këto prona tani do të jenë "plotësisht në funksion të qytetarëve, bizneseve të Republikës së Kosovës, pa dallim".

Drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Millojeviq, i cili ishte i pranishëm në Graçanicë gjatë marrjes së objektit nga Posta e Kosovës dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), u tha gazetarëve se në mes të korrikut u ndryshua pronari në kadastrin e Kosovës, dhe e cilësoi këtë si “uzurpim”, pasi “kemi dëshmi se këtë postë e kemi ndërtuar vetë në vitin 2004”.

“Aty ekzistonte një postë e vogël, e vjetër, prej rreth tridhjetë metrash katrorë, ndërsa ajo që shihni sot, ishte qendra e Postës së Serbisë në Kosovë”, tha Millojeviq, duke e cilësuar atë si “të marrë në mënyrë të paligjshme”.

“Mesazhi im është se do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për ta dëshmuar këtë në gjykatë. Por, e dini si është kur kadia edhe të padit, edhe të gjykon”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar MINT-it me kërkesë për t'i komentuar deklaratat e Millojeviqit, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kosova mbyll institucionet serbe në jug të Ibrit Kosova mbyll institucionet serbe në jug të Ibrit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:54 0:00

Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy vjetëve të fundit janë mbyllur edhe Banka Kursimore Postare, Banka Kombëtare e Serbisë, drejtoritë e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimeve Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike komunale, organet e përkohshme komunale dhe shumë të tjera.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG