Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
06:53 2.3.2022

Mirëmëngjesi për të gjithë dhe faleminderit që përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë!

Disa nga lajmet që përcollën natën e shkuar janë:

  • Trupat ruse zbritën me parashuta në Harkiv - qytetin e dytë më të madh të Ukrainës - duke e sulmuar atë nga disa anë.
  • Qyteti i vogël jugor, Herson, ra në duart e forcave ruse, thanë zyrtarët lokalë ukrainas.
  • Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ndaloi aeroplanët rusë nga hapësira ajrore e Amerikës.
  • Kombet e Bashkuara thanë se mbi 600,000 njerëz janë zhvendosur nga lufta në Ukrainë.
  • Boeing dhe ExxonMobil u bënë kompanitë e fundit perëndimore që ndërprenë lidhjet me Rusinë.
  • Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar thanë se po përgatisin mbështetje prej miliarda dollarësh për Ukrainën.
07:07 2.3.2022

Bursa e Moskës e mbyllur për tri ditë me radhë

Tregtimi në bursën e Moskës do të pezullohet për të tretën ditë me radhë, ka njoftuar Banka Qendrore e Rusisë përmes një deklarate.

Megjithatë, ajo do të ofrojë disa shërbime të kufizuara për herë të parë këtë javë.

Këto vendime janë marrë pas valuta ruse, rubla, është zhvlerësuar në nivele rekorde dhe kompanitë ruse jashtë shtetit janë përballur me rënie të vlerës së aksioneve.

07:16 2.3.2022

OKB: Të paktën 136 viktima civile në Ukrainë, përfshirë 13 fëmijë

Kombet e Bashkuara kanë thënë se të paktën 136 civilë janë vrarë prej nisjes së sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

Trembëdhjetë fëmijë besohet se janë në mesin e të vdekurve.

Liz Throssell, zëdhënëse e Komisionit të OKB-së për të Drejta të Njeriut, ka thënë se shifra reale e viktimave mund të jetë shumë e lartë.

Throssell ka thënë se shumica e viktimave e kanë pësuar nga sulmet ajrore dhe shpërthime tjera të mëdha.

OKB ka thënë po ashtu se rreth 400 persona janë plagosur në luftime.

Megjithatë, të dhënat e publikuara nga Qeveria ukrainase sugjerojnë se 352 civilë kanë vdekur dhe mbi 1,600 janë të plagosur.

07:33 2.3.2022

Çmimi i naftës vazhdon të rritet pavarësisht masave urgjente

Çmimet e naftës janë rritur pavarësisht masave të reja që mëtojnë të stabilizojnë tregjet pas pushtimit rus në Ukrainë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, ka arritur në 110 dollarë për fuçi, duke shënuar rritjen më të madhe në shtatë vjetët e fundit.

Çmimi është rritur pasi anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji janë pajtuar për të lëshuar në treg 60 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente.

Shtetet e Bashkuara dhe 30 vende tjera anëtare të kësaj Agjencie kanë thënë se me këtë veprim synojnë të stabilizojnë tregjet.

Rusia është një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në botë.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, bota është shqetësuar për ndikimin e kësaj situate në tregjet e naftës dhe gazit.

Çmimet e naftës janë rritur edhe në Shtetet e Bashkuara – 109 dollarë për fuçi.

“Ne jemi të përgatitur për të shfrytëzuar secilin mjet të mundshëm për të shmangur pengesat në furnizimet me energji si pasojë e veprimeve të presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki të martën.

Ajo ka thënë se Uashingtoni do të analizojë mundësi si të shmangë varësinë për energji nga Rusia.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG