Ndërlidhjet

Izraeli zgjeron ofensivën në Gazë


Palestinezët mblidhen në Beit Lahia në veri të Gazës më 20 korrik duke pritur për furnizime ushqimore.
Palestinezët mblidhen në Beit Lahia në veri të Gazës më 20 korrik duke pritur për furnizime ushqimore.

Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër për evakuimin e palestinezëve nga pjesa qendrore e Rripit të Gazës më 20 korrik, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë aksion të menjëhershëm ndaj luftëtarëve të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në këtë zonë “ku më parë nuk kanë operuar”.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha në X se banorët dhe palestinezët e zhvendosur, që po strehohen në zonën Deir el-Balah, duhet të evakuohen menjëherë.

Izraeli ka “zgjeruar aktivitetet” përreth Deir el-Balah, përfshirë “në një zonë që nuk ka operuar më parë”, tha Adraee, duke u kërkuar palestinezëve “të largohen drejt jugut në zonën al-Mavasi”.

Shumica e popullsisë së Gazë mbi 2 milionë banorësh janë zhvendosur të paktën një herë gjatë luftës – që tani është në muajin e 22-të – dhe Izraeli vazhdimisht ka lëshuar urdhra për evakuimin e pjesëve të mëdha të territorit palestinez.

Në janar, agjencia humanitare e Kombeve të Bashkuara, OCHA, tha se më shumë se 80 për qind e Rripit të Gazës ishte nën urdhra për evakuim të lëshuar nga Izraeli.

Familjarët e pengjeve që mbahen në Gazë që kur Hamasi më 7 tetor 2023 sulmoi Izraelin – që nxiti luftën – kanë shprehur frikën se zgjerimi i ofensivës izraelite mund të vë në rrezik më të dashurit e tyre.

Ata kanë kërkuar që Izraeli të tregojë planet luftuese dhe si synon t’i mbrojë pengjet që janë në Gazë.

Të dielën, ndërkaq, agjencia për mbrojtje civile në Gazë i tha AFP-së se sulmet izraelite gjatë natës kanë lënë të vrarë të paktën shtatë persona në Qytetin e Gazës dhe në pjesët jugore të territorit.

Delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi në dy javët e fundit kanë mbajtur bisedime indirekte për një armëpushim 60-ditor në Gazë dhe lirimin e dhjetë pengjeve që ende janë gjallë.

Nga 251 pengje që u morën më 7 tetor 2023, 49 ende mbahen në Gazë, përfshirë 27 që ushtria izraelite thotë se kanë vdekur.

Familjarët e pengjeve u mblodhën në Tel Aviv të shtunën, duke i bërë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, të arrijnë marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës.

Ndërkaq, ushtria izraelite tha përmes një deklarate se ka intensifikuar operacionet në zonën Xhabalia në veri të Gazës, duke vrarë “dhjetëra terroristë” dhe duke shkatërruar “qindra infrastruktura terroriste”.

Si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë. Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 58.000 palestinezë, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG