Ndërlidhjet

Izraeli dislokon trupa në jug të Sirisë


Ushtarët sirianë ndalojnë një familje të minoritetit druze që kanë ikur nga dhuna afër Damaskut. 3 maj 2025.
Ushtarët sirianë ndalojnë një familje të minoritetit druze që kanë ikur nga dhuna afër Damaskut. 3 maj 2025.

Ushtria izraelite tha më 3 maj se ka dislokuar forca në jug të Sirisë dhe trupat janë gati që të mbrojnë minoritetin druze, pas përplasjeve të fundit sektare.

“Ushtria izraelite është e vendosur në jug të Sirisë dhe është e përgatitur të parandalojë hyrjen e forcave armiqësore në zonat e fshatrave druze”, thuhet në deklaratën zyrtare, pa sqaruar nëse kjo është një dislokim i ri apo duke dhënë detaje për numrin e trupave që janë në terren.

Druze është një pakicë fetare në Siri, që praktikon një degë të islamit shiit.

Ndërkohë, një zyrtar druze në provincën Sveida, që është qendra e komunitetit druze në Siri, tha se “nuk ka pasur dislokim të trupave izraelite atje”.

Prania e trupave izraelite “raportohet të jetë e kufizuar në provincën e Kuneitras”, afër Lartësive të Golanit të aneksuara nga Izraeli, ku ushtria “ka vendosur prani” pasi rrëzimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetorin e vitit të kaluar, shtoi zyrtari.

Pas përplasjeve sektare afër Damaskut më herët gjatë kësaj jave, Izraeli ka kryer disa sulme që thotë se kishin për qëllim mbrojtjen e komunitetit druze dhe ka paralajmëruar udhëheqësit islamistë të Sirisë të mos sulmojnë këtë grup pakicë.

Të shtunën, ushtria izraelite tha se “pesë qytetarë sirianë druze u evakuuan për trajtim mjekësor në Izrael gjatë natës” pasi pësuan lëndime në territorin sirian.

Zyrtari druze në provincën Sweida tha se ata ishin plagosur “në përplasje në Sahnaja”, vendi i dhunës së fundit sektare afër Damaskut.

Izraeli kreu më shumë se 20 sulme ajrore brenda Sirisë mbrëmjen e së premtes, sipas Vëzhguesit sirian për të Drejtat e Njeriut, pas një sulmi afër pallatit presidencial në Damask, të cilin autoritetet e dënuan dhe e cilësuan si “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi të enjten se Izraeli do të reagojë me forcë nëse Qeveria e re siriane dështon të mbrojë pakicën druze.

Vëzhguesi sirian tha se më shumë se 100 persona u vranë në përplasjet në Sahnaja dhe Xharamana, të dyja afër Damaskut, si dhe në provincën Sveida.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG