Irani tha se nuk është më i detyruar që të respektojë kufizimet mbi programin e tij bërthamor, pasi ka skaduar marrëveshja 10-vjeçare mes tij dhe fuqive botërore, ndonëse Teherani përsëriti më 18 tetor “angazhimin tonë ndaj diplomacisë”.
Marrëveshja e vitit 2015 – e nënshkruar në Vjenë nga Irani, Kina, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – parashikonte heqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Republikës Islamike në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor të Teheranit.
Por, nga marrëveshja Uashingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, ndërsa më pas edhe Irani u tërhoq nga angazhimet e tij.
Muajin e kaluar, ndaj Iranit u rivendosën sanksionet e Kombeve të Bashkuara. Mekanizmin e vendosjes automatike të sanksioneve e aktivizuan nënshkrueset evropiane të marrëveshjes së vitit 2015.
Nga tani, “të gjitha dispozitat [e marrëveshjes], përfshirë kufizimet mbi programin bërthamor iranian dhe mekanizmat përkatës, konsiderohen të përfunduara”, tha Ministria e Jashtme e Iranit në një deklaratë në ditën e skadimit të paktit.
“Irani shpreh fuqishëm përkushtimin e tij ndaj diplomacisë”, shtoi ajo.
Prej kohësh, fuqitë perëndimore e kanë akuzuar Iranin se po synon të zhvillojë armë bërthamore, akuzë që Teherani e ka refuzuar vazhdimisht dhe ka këmbëngulur se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile, si prodhimi i energjisë.
“Dita e përfundimit” të marrëveshjes ishte përcaktuar për 18 tetor 2025, saktësisht 10 vjet pas miratimit të saj në rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Marrëveshja e kufizonte pasurimin e uraniumit të Iranit në 3.67 për qind pastërti, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Sipas Agjencisë për Energji Bërthamore, Irani është i vetmi vend pa program të armëve bërthamore që pasuron uraniumin deri në 60 për qind pastërti. Ky nivel është pranë pragut prej 90 për qind që nevojitet për një bombë bërthamore.