Ndërlidhjet

Autoritetet britanike e cilësojnë si terrorist sulmin në sinagogën e Mançesterit ku u vranë dy persona


Ekipet shëndetësore dhe policia shihen jashtë një sinagoge në Mançester. 2 tetor 2025.
Ekipet shëndetësore dhe policia shihen jashtë një sinagoge në Mançester. 2 tetor 2025.

Dy njerëz janë vrarë të enjten kur një burrë i shkeli me veturë këmbësorët dhe e theri me thikë një roje sigurie në një sinagogë në Angli, ku besimtarët po e shënonin festën e Jom Kipurit, ditë më të shenjtë në kalendarin hebraik, tha policia britanike.

Policia e Mançesterit tha se i dyshuari - i cili mbante një jelek që dukej sikurse mjet shpërthyes - u vra pasi u qëllua pasi oficerët mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, në Sinagogën e Kongregacionit Hebraik, Heaton Park, në qarkun Krumpsall në veri të Anglisë.

Sulmi është shpallur incident terrorist.

Policia kundër terrorizmit tha se dy persona janë arrestuar pas sulmit.

Policia shtoi se tha se tre persona të tjerë janë në gjendje të rëndë pas sulmit.

Në vendngjarje janë parë forca të shtuara të policisë, ndërkaq po ashtu janë parë edhe ekipe të emergjencave.

Një video e publikuar në rrjetet sociale shfaqi policinë duke e qëlluar një person brenda perimetrit të sinagogës, ndërsa një tjetër i plagosur u pa i shtrirë dhe dukej se kishte të veshur rroba tradicionale hebraike.

“Jam i tmerruar nga sulmi në sinagogën në Krumpsall”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një postimi në X.

Për shkak të kësaj ngjarje, ai ndërpreu pjesëmarrjen në samitin e Komunitetit Evropian Politik.

“Fakti që kjo ndodhi në Jom Kipur, në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik, e bën këtë ngjarje edhe më të tmerrshme”, shtoi Starmer.

Ndërkaq, kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, tha se ky ishte një incident serioz.

“U bëj thirrje njerëzve që të shmangin këtë zonë. Ky është incident serioz, por në të njëjtën kohë mund t’iu japim siguri njerëzve se rreziku duket se ka kaluar dhe se policia në Mançester e ka trajtuar shumë shpejt” këtë rast, tha ai për radion BBC.

Jom Kipuri është dita më e shenjtë në kalendarin hebraik kur besimtarët shkojnë në sinagoga për t'u lutur.

Vitin e kaluar, Britania shënoi më shumë se 3.500 incidente antisemitike. Këto incidente u rritën pas nisjes së luftës në Gazë më 7 tetor 2023, kur Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja - sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në enklavën palestineze.

Britania po ashtu ka përjetuar një sërë sulmesh të kryera nga militantët islamikë që nga sulmet terroriste më 11 shtator 2001 në SHBA.

Më 2017, një sulm vetëvrasës me bombë ndodhi gjatë koncertit të Ariana Grande në Mançester.

Po ashtu, viteve të fundit policia ka paralajmëruar lidhur me kërcënimin e terrorizmit nga ekstremi i djathtë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG