Ndërlidhjet

Gjermania e mbyll një shoqatë myslimane që akuzohet se bënte thirrje për kalifat


Zyrtarë policorë pranë një xhamie në Hamburg, Gjermani. (Fotografi ilustruese nga arkivi)
Zyrtarë policorë pranë një xhamie në Hamburg, Gjermani. (Fotografi ilustruese nga arkivi)

Gjermania e ka mbyllur të mërkurën një shoqatë myslimane, duke e akuzuar për veprimtari kundërkushtetutëse, përfshirë thirrje për krijimin e një kalifati, njoftoi Ministria e Brendshme gjermane.

Policia gjermane bastisi shtatë ndërtesa në qytetin verior të Hamburgut, ku e kishte selinë shoqata Muslim Interaktiv.

"Ne nuk do të lejojmë që organizata, si Muslim Interaktiv, ta minojnë shoqërinë tonë të lirë me urrejtjen e tyre... dhe ta sulmojnë vendin tonë nga brenda", tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.

Shoqata u vu në qendër të kritikave në prill të vitit 2024 gjatë një proteste në Hamburg, ku më shumë se 1.200 njerëz demonstruan, duke dënuar politikat gjoja islamofobe të Gjermanisë.

Pankartat e mbajtura në atë protestë përfshinin disa me mbishkrimin “kalifati është zgjidhja”, gjë që bëri bujë në të gjithë vendin dhe nxiti debat të ashpër kombëtar.

Shoqata, e akuzuar gjithashtu për mohimin e të drejtave të grave dhe nxitjen e urrejtjes ndaj Izraelit, tani do të shpërbëhet dhe pasuria e saj do të konfiskohet, sipas Ministrisë.

Qyteti i Hamburgut tha se kjo shoqatë, e themeluar në vitin 2020, ishte aktive kryesisht online dhe i kritikonte politikanët dhe shoqërinë për gjoja mospranimin e “të gjithë komunitetit mysliman”.

Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, përshëndeti mbylljen e kësaj shoqate dhe tha se autoritetet e “eliminuan një grup islamist të rrezikshëm dhe shumë aktiv”.

Policia të mërkurën bastisi gjithashtu ndërtesa në Berlin dhe në landin perëndimor Hese, si pjesë e hetimeve ndaj dy grupeve të tjera, Generation Islam dhe Realitaet Islam.

Gjermania më parë ka ndaluar disa organizata myslimane, si organizatën joqeveritare Ansaar, e cila u akuzua në vitin 2021 për financim të terrorizmit islamist nën petkun e bamirësisë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG