Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë të ditur në pasditen e së martës se është gjetur trupi i pajetë i Rrahim Latifit - 33 vjeçar - në Liqenin e Ujmanit, i cili kishte kërcyer në të dy ditë më parë.
Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Përmes një postimi në Facebook, FSK-ja ka thënë se operacioni është zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
"Trupi u është dorëzuar autoriteteve për procedurat e mëtejme hetimore", është thënë mes tjerash në Facebook.
Operacioni është realizuar me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka falëndëruar të gjitha institucionet e përfshira në gjetjen e trupit të pajetë.
“Falënderoj Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes "Trepça" dhe KFOR-in për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës dhe ka thënë se ndan dhimbjen me ta.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ka thënë se është thellësisht e shqetësuar nga përpjekjet për të politizuar angazhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Ujmanit.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, ka thënë Ambasada gjermane.
Sipas saj, deklaratat e akterëve politikë se ky mision i FSK-së është “i pari në veri të Kosovës”, vetëm se e keqinterpretojnë qëllimin e angazhimit.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it - për të promovuar narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, është thënë mes tjerash në reagim.
Ky reagim është referencë për një debat që ka shpëryer në rrjete sociale lidhur me dy fotografi afër Ujmanit. Në njërën shihen makina të FSK-së dhe të KFOR-it, ndërsa në tjetrën vetëm të FSK-së. Disa pretendojnë se imazhet janë manipuluar qëllimshëm nga zyrtarë të pushtetit që të mos shihet prezenca e KFOR-it aty.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë nëse është bërë manipulim me fotografi.
Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje – e cila është në krye të Qeverisë në detyrë – i ka reaguar Ambasadës gjermane, duke thënë se imazhet, që është sugjeruar në rrjete sociale se janë manipuluar, janë marrë nga mediumi "Kallxo" në Kosovë dhe ato janë shpërndarë nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe më pas nga partia.
“Është shumë me rëndësi që në epokën e lajmeve të rreme reagimet të jenë të bazuara në fakte dhe të vërtetën dhe jo të shtresëzohen mbi lajme të rreme. Në të vërtetë vetë lajmi për manipulimin e fotografisë nga ana e VV-së është fake news [lajm i rrejshëm] çka duket se ju ka vendosur në lajthitje edhe vetë juve”, ka thënë Manxhuka përmes një postimi në Facebook.
Ambasada gjermane ka thënë mes tjerash se mbështet plotësisht misionin e KFOR-it dhe vlerëson përpjekjet e këtij misioni, si dhe të FSK-së, për kërkim-shpëtim.
Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t'i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Ndërkaq, gjatë një prononcimi për media në Ujman, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, Genc Metaj, tha se kjo agjenci një ditë më parë ka parashtruar kërkesën për angazhimin e FSK-së në operacionin e kërkimit.
KFOR-i: Operacioni zhvillohet nën kushte specifike
Nga misioni i KFOR-it konfirmuan se komandanti i saj, gjeneralmajor Enrico Barduani, autorizoi FSK-në të dislokojë ekipe të kërkim-shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se autorizimi është dhënë për arsye humanitare, në përputhje të plotë me kompetencat e komandantit të KFOR-it.
“Operacioni zhvillohet nën kushte specifike të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të sigurojë mbarëvajtjen e tij”, thuhet në njoftim.
“Angazhimi i FSK-së në këtë rast është në përputhje me mandatin e saj fillestar, që përfshin ndihmë për komunitetet lokale në raste katastrofash natyrore dhe operacione të kërkim-shpëtimit”.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos kërcejnë nga ura në Ujman.
Ndryshe, FSK-ja është në proces të transformimit të saj në ushtri, pas ndryshimeve ligjore të miratuara. Ky proces pritet të përmbyllet më 2028.