Ndërlidhjet

Trump: Besoj se Putini është i gatshëm të arrijë marrëveshje


Presidenti amerikan, Donald Trump. Uashington, 13 gusht 2025
Presidenti amerikan, Donald Trump. Uashington, 13 gusht 2025

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të arrijë një marrëveshje dhe se kërcënimi për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë me gjasë ka luajtur rol në Moskë që të zhvillohet takimi.

Trump është paraparë të takohet me Putinin në Alaskë të premten. Presidenti amerikan tha se nuk është i sigurt nëse mund të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në luftën në Ukrainë, por shprehu interes që të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje.

“Unë besoj tani se ai është bindur që do të arrijë një marrëveshje, ai do të bëjë marrëveshje. Mendoj se do ta bëjë këtë, por do ta shohim”, tha Trump në një intervistë për Fox News Radio.

Më herët gjatë ditës, Putini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë “përpjekje të sinqerta” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe sugjeroi që Moska dhe Uashingtoni mund të bien dakord për një marrëveshje për armët bërthamore, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të forcuar paqen.

Gjatë intervistës për Fox News, Trump po ashtu e përmendi se ai ka tri vende në mendje për një takim pasues me Putinin dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, megjithëse tha se nuk është e garantuar që ky takim i dytë do të mbahet.

“Në varësi të asaj që ndodhë me takimin tim, do t’i telefonoj presidentit Zelensky dhe le ta sjellim aty ku do të takohemi”, tha Trump.

Disa orë para se Trump të bënte këto deklarata, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Londër, ku diskutoi për çështje të sigurisë me kryeministrin britanik, Keir Starmer.

“Në çfarëdo skenari, Ukraina mban fuqinë e saj”, tha Zelensky pas takimit.

“Ne diskutuam në detaje për garancitë e sigurisë që mund ta bëjnë paqen vërtetë të qëndrueshme”, tha ai, duke sugjeruar se një mundësi e tillë mund të vijë nëse SHBA-ja ka sukses “që t’i bëjë presion Rusisë që të ndalë vrasjet”.

Vizita e Zelenskyt në Londër erdhi pasi një ditë më parë ai qëndroi në Berlin, ku mori pjesë në një video-konferencë së bashku me disa prej udhëheqësve kryesorë evropianë, të cilët biseduan me Trumpin.

Zelensky deklaroi se e paralajmëroi Trumpin se Putini po bënte “blof” lidhur me dëshirën e tij për të përfunduar luftën.

Pas kësaj bisede me Zelenskyn dhe udhëheqësit, Trump paralajmëroi Rusinë për “pasoja shumë të rënda” nëse nuk ndalet lufta në Ukrainë. Por, ai nuk dha detaje se për çfarë pasojash bëhet fjalë.

Takimi mes Trumpit dhe Putinit synon gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës në Ukrainë që ka nisur mbi tre vjet e gjysmë më parë.

Trump ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë territor për të ndalur luftime të ashpra që kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima nga të dyja palët dhe kanë detyruar miliona ukrainas që të zhvendosen.

Uashingtoni duket se po përgatit Kievin dhe Moskën për kompromiset e mëdha për të përfunduar luftën, teksa nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se çdo marrëveshje paqeje do të lërë të dyja palët “të pakënaqura”.

Bisedimet në Alaskë ndodhin në një moment kyç, me Trumpin gjithnjë e më të zemërur me Putinin dhe presidentin rus që nuk tregon shenja se do të heqë dorë nga kërkesat maksimaliste të Kremlinit.

Trump dhe Putin kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, dhe i dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë ka vizituar Moskën të paktën tri herë.

Vendimi për t’u takuar me Putinin – diçka që paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, refuzoi ta bënte pas pushtimit të Ukrainë – pasqyron besimin e presidentit Trump se raporti i tij me liderin rus do të sjellë një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG