Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se me kërkesën e tij, është larguar kapitulli që ai kishte shkruar dhe i është hequr emri nga autorësia në një punim të vitit 2012 që fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për këtë punim, ku Basha ishte bashkautor, raportuan mediat në Kosovë pasi ai u zgjodh kryetar i Kuvendit në gusht, duke nxitur reagime të shumta lidhur me përmbajtjen.
Basha ishte distancuar menjëherë, duke thënë se ai kishte shkruar vetëm Kapitullin 3 të punimit me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”. Kapitulli 3 fliste për islamin radikal në Evropën Juglindore.
Në njoftimin e publikuar në Facebook mbrëmjen e 24 shtatorit, Basha tha se ai gabimisht ishte listuar si bashkautor i punimit, pasi rikthesoi se ai kishte kontribuar vetëm për Kapitullin 3.
“Komiteti i Publikimeve i Revistës në fjalë sot më ka njoftuar që ka miratuar kërkesën time për tërheqjen e Kapitullit 3 nga publikimi, dhe gjithashtu ka hequr edhe emrin tim nga autorësia, meqenëse unë nuk kam autorësi në pjesën tjetër të publikimit, përveç Kapitullit 3 i cili tashmë është tërhequr”, shkroi Basha.
Raportimi për këtë punim, ku Basha ishte bashkautor, nxiti reagime të shumta nga shoqëria civile, politikanë dhe nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ka kërkuar që Basha të shkarkohet nga posti i kryeparlamentarit.
Çfarë thuhet në punimin e vitit 2012?
Në këtë punim, ku Basha dhe Jana Arsovska ishin të listuar si bashkautor thuhet se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Në punim po ashtu thuhet se përveç se UÇK-ja ishte “financuar nga trafikantët e drogë”, mbështetja nuk përfshinte vetëm para.
“Por, trafikantët e drogës dërguan persona të armatosur për të luftuar së bashku me UÇK-në dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.
“Teksa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë për t’u matur, ekzistojnë raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqishëm një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, u tha në këtë punim.
Sipas punimit, në Belgjikë bosi i “të ashtuquajturës mafi shqiptare la fishekë para dyerve të anëtarëve të diasporës shqiptare si kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata kishin paguar për mbështetjen e Qeverisë në hije dhe UÇK-në, në të vërtetë nuk ishin ‘vullnetare’”.
Punimi pretendon se mbijetesa e UÇK-së “varej nga financimi që ofronin banditët patriotë, që operonin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare sikurse Vendlindja Thërret”.
Në punim, lufta në Kosovë më 1998-99 vlerësohet si “konflikt etnik”, teksa aty pretendohet se agjencitë perëndimore të inteligjencës “shpesh mbyllën sytë ndaj bashkëpunimit mes krimit dhe politikës në Kosovë".
“Që nga fillimi i viteve 1990, shumë ishin të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës. Pas konfliktit, UÇK-ja vetë u shpërbë formalisht, megjithatë shumë ish-komandantë të UÇK-së u përfshin në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi”, thuhet në këtë punim.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.