Hekuran Murati: Qëndrimet e partive të tjera rreth zgjedhjes së kryetarit s’kanë ndryshuar
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, njoftoi se nuk ka marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga takimi mes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive partitë parlamentare.
“Qëndrimet, më sa pamë nga konsultimi, ishin të njëjta”, tha Murati.
Ai tha se shpreson se do të ketë reflektim në minutat e pakta sa kanë mbetur deri në fillim të seancës.
Abdixhiku: LDK-ja nuk bashkëpunon me LVV-në
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk do ta mbështesë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.
“Jemi të qartë, bindjet tona janë se partia e parë duhet ta ofrojë një kandidat që përfaqëson Kuvendin, jo një kandidat që lexon skriptet e partisë. Ne jemi në opozitë dhe synojmë të jemi në opozitë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se nëse partitë që kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partinë fituese nuk arrijnë marrëveshje, edhe seanca e sotme do të dështojë.
“Partia e parë e ka detyrë të gjejë kompromis me partitë që i kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim, nëse nuk ka pasur marrëveshje për kryeparlamentarin, atëherë edhe kjo seancë është e kotë. Është e çuditshme sesi një parti që ka 48 deputetë nuk arrin ta bëjë një shumicë me 61 deputetë”, tha ai.
Përfundon takimi mes kryesuesit Dehari dhe subjekteve politike
Një takim konsultativ mes kryesuesit të seancës konstitutive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike ka përfunduar para pak çastesh.
Dehari nuk tregoi nëse është arritur ndonjë pajtueshmëri, por tha se “tash do ta shihni”.
Subjektet parlamentare i kanë kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, pasi kanë kundërshtuar emërimin e Albulena Haxhiut.
Vlora Çitaku: Presim zhbllokimin e ngërçit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se presin që sot të konstituohet Kuvendi i Kosovës pas shumë përpjekjeve, por nuk tregoi nëse partia e saj do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare.
“Partia Demokratike e Kosovës, dhe besojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, presin zhbllokimin e gjendjes së krijuar në Kuvendin e Kosovës, si pasoj e paaftësisë të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar shumicën”, tha ajo.
PDK-ja, e cila i fitoi 24 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka kundërshtuar emërimin e Albulena Haxhiut të LVV-së si kryetare të Kuvendit.